Nga ARTUR AJAZI
Partia Demokratike po mundohet të gjejë patjetër terrenin e duhur për të fragmentizuar “parafushatën” e saj elektorale. E ndërsa Lulzim Basha nuk po lë ditë pa takuar “tregëtarë dhe biznesmenë” të cilët po “rrënohen nga qeveria Rama”, një tjetër mesele ka nisur të marrë ngjyrimin “bllu”. Bëhet fjalë për “protestat” e blera të ish-opozitaristëve, kudo nga vjen sinjali se “ka njerës të pakënaqur”. Dy ditë më parë ky fenomen qesharak, ka ndodhur në Labinot Fushë të Elbasanit, nga ku Partia Demokratike, u investua fort, në “sensibilizimin” e një proteste që kishte synim të godiste një biznes të ndershëm, një kompani që ka ngritur një qytet, dhe ka investuar dhe punësuar pothuajse gjysmën e të papunëve që ka ai qark. Bëhet fjalë për kompaninë “Fish-City”, e cila operon në zonën e Labinotit-Fushë prej disa vitesh, dhe ka punësuar mijëra vetë, burra, gra, të rinj dhe të reja. Eshtë një biznes, që i ka dhënë frymëmarrje, një zone e cila ishte e harruar, nga ata që dikur sa ishin në pushtet dhe premtuan shumë, por që sot u shkojnë atje për ti ndërsyer kundër një biznesi privat. Ata që prej 7 vitesh, ulurijnë se “jemi me biznesin, po rrënoni biznesin, qeveria po falimenton biznesin”, sot po blejnë protestat spontane të 5-6 familjeve që ndoshta nuk kanë asnjë lidhje me atë biznes privat. Ata që deri sot, sulmonin dhe akuzonin ministra, kryeministrin, deputetët dhe tatimorët se “po falimentoni biznesin e ndershëm, po rrisni taksat, po vini gjoba, po largoni investimet”, i janë sulur një kompanie e cila është sot lider në treg, për punësimin dhe investimin në fushën e industrisë së peshkimit. Ata që deri sot, nuk lanë gjë pa thënë, akuzuar dhe denoncuar për gjoja “në mbrojtje të biznesit, kompanive dhe tregëtarëve”, ata që deri sot kanë lexuar dhe propoganduar traktet e SHQUP-it, duke “mbrojtur” biznesin, dhe duke derdhur lotin e krokodilit, sot po blejnë protestat e një grushti njerësish, dhe po akuzojnë dhe i ndërsejnë ata kundër kompanive private. Duket se stradegjia e Lulzimit dhe sekretarëve të tij kokëulur, për të sulmuar biznesin, pastaj për ti bërë ata “ortakë” në rrugëtimin e tyre kaotik, është sa qesharake aq edhe e turpshme. Ti sulesh biznesit që punon, investon, punëson, që mban me taksat që paguan rrogat e ish-ligjvënësve mandatdjegur, që ka kontrata me firmat më dinjitoze në botë, vetëm e vetëm, sepse kërkon të ngjallësh pakënaqësi në popull, je sa i dështuar aq edhe i dënuar, të mos fitosh kurrë zgjedhjet, jo në Labinot –Fushë, por edhe në gjithë qarkun e Elbasanit. Të ndodhesh “rastësisht mes protestuesve” në çdo qytet dhe fshat, mes atyre që porosit me sms, dhe u premton se “Lulzim Basha pas zgjedhjeve do të bëhet kryeministër”, është marrëzi që kapërcen çdo imagjinatë dëshpëruese. Të blesh “protestat” në kohë pandemie, dhe të shpresosh se “duke sulmuar një biznes, kam fituar 100 vota”, do të thotë të firmosësh humbjen e rradhës me duart e tua Lulzim. Aq më tepër në Labinot-Fushë, ku PD nuk ka fituar asnjëherë as 40 vota, edhe në pikun e pushtetit të saj…….