Me thirrjen e bërë për opozitën parlamentare për votimin e Reformës Zgjedhore, Presidenti Ilir Meta ka legjitimuar parlamentin. Kështu e lexon këtë kërkesë deputeti Andi Përmeti, ndërsa sqaron për Report tv se kërkesa e vetme e firmosur nga 29 deputetë është ndryshimi i Kushtetutës. Kjo kërkesë që vjen nga presidenti Ilir Meta për të votuar reformën zgjedhore, për deputetin Andi Përmeti lexohet si një legjtimim i mandateve të tyre, të cilat më herë kreu I shtetit nuk I ka njohur.
“Nuk besoj që Meta ta ketë thënë seriozisht këtë, sepse ka një vit e gjysmë që thotë se ky parlament nuk është legjitim. Për të ka vetëm 82 deputetë legjitimë. Kjo marrëveshje do 84 vota dhe nuk e di se ku do ti gjejë dy votat e tjera Meta. Më bëhet qejfi se për herë të dytë, zoti Meta po legjitimon parlamentin, për veten e tij, jo se kemi nevojë për legjitimitetin e Metës”, tha Përmeti.
Deputeti Përmeti sqaron edhe kërkesat e artikuluar nga opozita parlamentare. Sipas tij, kërkohet vetëm ndryshimi i kushtetutës për 2 pika të saj, kërkesë e cila është firmosur nga 29 deputetë pasditen e së premtes duke mohuar se ata kanë një kërkesë për të hequr koalicionet parazgjedhore.
“Atë lloj akti që parashikon koalicioni parazgjedhore, pragun prej 5% dhe disa kërkesa të tjera, nuk janë firmosur nga asnjë deputet, as nuk e ka marrë asnjë përsipër. Deri në një moment që të dalë një deputet dhe ta marrë përsipër, apo të thotë që është firmosur për mua nuk ka asnjë lloj vlere dhe asnjë lloj diskutimi. I vetmi akt që ne kemi, është bërë publik dhe ka firmat e 29 deputetëve që kërkon specifikisht ndryshimin e neneve të Kushtetutës për hapjen e listave dhe krijimin e një sistemi proporcional me lista të hapura kombëtar”, u shpreh Përmeti.
Një ditë më parë opozita parlamentare i shtriu dorën për ndihmë Kuvendit për të vijuar luftën për ndryshimin e sistemit, pasi depozitoi kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës. Ndërkohë, 3 përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë kërkuar edhe shkarkimin e Rudina Hajdarit nga bashkëkryetare e komisionit për Reformën Zgjedhore, për ta zëvendësuar ata me Myslym Murrizin.
/e.rr