Bordi drejtues i Agjencisë së Inteligjencës së Bashkimit Evropian, EUROPOL, miratoi marrëveshjen e punës me agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë, njoftoi të premten Ministria e Brendshme e Kroacisë – vendit që aktualisht kryeson Këshillin e BE-së.
Vendimi u mor në seancën e 115-të të këtij bordi, që u mbajt në format të video-konferencës më 9 dhe 10 qershor.
Bëhet e ditur se marrëveshja do të nënshkruhet nga drejtorja ekzekutive e EUROPOL-it dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës.
Marrëveshja, e miratuar nga bordi drejtues, parashikon bashkëpunim midis EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore dhe njësive për parandalimin e pastrimit të parave.
Sipas njoftimit, me këtë marrëveshje, Kosovës “i jepen mundësi të reja në bashkëpunimin ndërkombëtar policor”.
Kosova, deri më tani, ka qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.
Bazuar në këtë marrëveshje pune, e cila do të hyjë në fuqi në ditën e nënshkrimit, Kosova do të krijojë një zyrë qendrore për bashkëpunim me EUROPOL-in dhe do të fitojë qasjen në kanalin e komunikimit të EUROPOL-it, si dhe mundësinë e dërgimit të oficerëve ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it në Hagë.
Përveç bashkëpunimit me EUROPOL-in, “Kosova, në këtë mënyrë do të ketë edhe një formë të re dhe më aktive të bashkëpunimit me të gjitha vendet e BE-së”, thuhet në deklaratë.
Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, por që kanë oficerë ndërlidhës në EUROPOL.
Ministria e Brendshme kroate tha se marrëveshja me Kosovën “është një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit me partnerët në Evropën Juglindore, në përgjigje të sfidave të sigurisë dhe promovimit të vlerave evropiane”.
Kosova, qysh në vitin 2010, ka bërë disa përpjekje për t’u anëtarësuar edhe në agjencinë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, por është penguar nga Serbia, e cila ka bërë fushatë kundër Kosovës.
Herën e fundit, në nëntor të vitit 2018, ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, për t’u bërë anëtare e këtij mekanizmi. Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e atëhershme e Kosovës e ka tërhequr kërkesën për anëtarësim, duke e shtyrë për këtë vit.
/e.rr