Operacioni Forca e Ligjit vijon kontrollin e pasurisë për personat e dënuar apo të dyshuar për aktivitete kriminela. Së fundmi OFL ka zbarkuar në Vlorë dhe Tiranë ku 3 personave iu është kërkuar deklarimi i burimeve të pasurisë.
Duhet të deklarojnë burimet e pasurisë shtetasit Orgest Balla, Endrit Qyqja dhe Geno Lena, dy të dënuar dhe një i akuzuar për vepra të rënda penale.
Njoftimi i OFL:
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– O. B., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;
– E. Q., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim;
– G. L., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
/e.rr