Nga Fatos Tarifa
Ja, edhe marrëveshja u nënshkrua! “Çudia” ndodhi! Palët u morën vesh me njëra-tjetrën. Kaq mjaftonte që në Bruksel të besohet se tashmë Shqipëria është gati për çeljen e negociatave. Të gjitha palët janë të kënaqura. Edhe shefat e përfaqësive diplomatike kryesore në Tiranë.
Por çfarë ndryshoi në jetën politike të vendit? E vetmja gjë që mund të themi pakashumë të sigurtë është se anëtarët e parlamentit të ardhshëm nuk do të dallojnë shumë nga ata që u “zgjodhën” tre vite më parë. Pra, do të kemi sërish një parlament si ai që kemi pasur deri në fillimin e vitit që shkoi, jo si ky që kemi sot.
Përsëri do të jenë 140 parlamentarë, rreth 40 herë më shumë për frymë popullsie sesa anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, demokracisë më të madhe e më të pasur të globit. Holanda, sot një monarki kushtetuese, por që ka qenë një ndër republikat e para në Europë (nga vitit 1581), ka thuajse të njëjtin numër anëtarësh (150) në Dhomën e Dytë të Parlamentit të saj, edhe pse popullsia e këtij vendi nga më të pasurit në botë është 6 herë më e madhe sesa popullsia e Shqipërisë.
Përse partitë politike shqiptare nuk bien dakord që ta zvogëlojnë numrin e anëtarëve të parlamentit, fjala vjen në 100? Një numër kaq i madh parlamentarësh nuk na duhen. Nuk na duhen aspak. Ata i rëndojnë shumë buxhetit të shtetit dhe janë një barrë e rëndë për familjet shqiptare, për të gjithë ne, taksapaguesit e këtij vendi të varfër.
***
Numri i parlamentarëve është një gjë; cilësia dhe integriteti i tyre intelektual e moral është një gjë tjetër dhe marrëveshja e nënshkruar disa ditë më parë nuk na jep asnjë siguri se ata që do të “zgjidhen” vitin e ardhshëm do të jenë më të mirë sesa këta që kemi. Arsyen nuk ka pse ua them unë; atë e di i madh e i vogël. Partitë shqiptare janë parti të personalizuara: kryetari është gjithçka, ai është vetë partia; masa dhe deputetët e zgjedhur nga kryetari i partisë, jo nga populli, duhet vetëm të dëgjojnë kryetarin, ta besojnë atë dhe ta ndjekin pas.
Për aq kohë sa listat kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare (edhe sikur ato të ishin të hapura) përsëri do i bëjnë dhe miratojnë tre individë, kryetarët e partive kryesore, në parlament do të kemi sërish të preferuarit e kryetarëve të partive, njerëzit besnikë të tyre, jo ata që janë kritikë e kurajozë. Edhe pse kandidatë të tillë nuk njihen nga qytetarët, nuk janë zgjedhja e tyre dhe, me shumë gjasë, as do të shprehin dhe mbrojnë interesat e qytetarëve, por ato të kryetarëve të partive të tyre (sepse atyre u detyrohen, jo popullit), ata do të marrin mbi supe barrën dhe privilegjet si “përfaqësues të popullit”.
***
Ah, po, do të kemi përsëri në parlament edhe disa individë që kryesojnë partitë e vogla të “frontit opozitar”, çfarëdo që mund të kuptohet me këtë. Këto janë disa “parti”, të cilat vazhdojnë të vegjetojnë në këtë sistem elektoral që me kokëfortësi vazhdojmë ta duam e ta ruajmë, edhe pse shumica e tyre janë “parti-kryetar”, “parti-familje”, “parti-fantazmë”, “parti pa ide”, “parti pa program”, “parti pa anëtarë”, parti thuajse inekzistente. Kujt i duhen parti të tilla veç kryetarëve të tyre, të cilët, si pjesë e “opozitës së bashkuar” bëhen pjesë e listës së Partisë së vërtetë opozitare? Parti të tilla nuk kanë asnjë mbështjetje në elektoratin shqiptar, ose kanë një mbështetje krejt të papërfillshme, por ja që kryetarët e tyre, disa madje për 30 ose 20 vite me radhë, vazhdojnë të jenë ligjvënësit tanë. Unë habitem me pafytyrësinë e politikanëve të tillë. Pushteti dhe privilegjet që u ka siguruar ai për një kohë të gjatë i bën të paaftë të shohin e të kuptojnë se sa indinjatë dhe alergji krijojnë ata te qytetarët e këtij vendi.
***
Unë jam thellësisht i zhgënjyer. Çdo marrëveshje mes partive politike kryesore të vendit (edhe kjo e fundit), duhet të sjellë ndryshime pozitive—të dukshme e të ndjeshme—për sistemin tonë demokratik, për cilësinë e shtetit dhe të institucioneve të tij, për cilësinë e proceseve politike (në radhë të parë të zgjedhjeve legjislative dhe atyre vendore), për cilësinë e qeverisjes dhe për mirëqenien e popullit.
Këto, çfarëdo që mund të themi për të, marrëveshja kaq shumë e diskutuar dhe e brohoritur e ditëve të fundit nuk na i garanton. Përvoja dhe arsyeja më thonë se kjo marrëveshje është një déjà vécu, diçka që e kemi parë e provuar edhe më parë.
Një tango që të mban në vend numëro, edhe sikur në Bruksel të mendojnë se me këtë është bërë një hapa përpara.