Dalin detaje të reja nga ngjarja e ndodhur paraditen e 3 qershorit, ku një person në zonën e Kamzës bëri rezistencë ndaj policisë dhe kërcënoi me armë uniformat blu.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria është zbuluar se 37-vjeçari nuk ka qenë në shtëpi kur kishte shkuar policia për ta shoqëruar, por ka ardhur pak më vonë me biçikletë.
Kryemadhi ka kundërshtuar efektivët, duke u ngjitur në tarracën e shtëpisë, prej nga kërcënonte efektivët me pistoletë.
Nga andej ai iu bënte thirrje policëve, “Pasha Allahun largohuni që këtu se do ju vras”.
Por qëndrimi në tarracë nuk ka zgjatur shumë dhe ai ka zbritur për tu mbyllur në shtëpi.
Pas negociatave për afro një orë, policia ka mundur që ta bindë që të dorëzohet.
Momentet e tensionit të kësaj të mërkure u shkaktuan nga besimtari mysliman, Roland Kryemadhi, i cili teksa efektivët e komisariatit Nr. 5 kishin shkuar, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të urdhrit të saj për shoqërim të detyrueshëm të tij, i ka kërcënuar me armë se do i vriste, nëse do i afroheshin.
Shoqërimi i tij nga policia do të bëhej në zbatim të vendimit të gjykatës, pasi prej një viti nuk lejonte që të shkonin në shkollë.
Besimtari mysliman gjatë negociatave, ka kundërshtuar policinë, duke thënë se “Fëmijët i mëson Allahu dhe jo shkolla”.
g.kosovari