Vetëm pak minuta pasi firmosi marrreveshjen në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri iu bashkëngjit panelit të emisionit “Java në RTSH” për të treguar detaje nga konsensusi i vështirë me opozitën.
Përballë analistëve Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli, ai tha se Partia Demokratike nuk ishte e gatshme për depolitizimin e administratës zgjedhore, ndryshe nga rekomandimi i OSBE/ODIR.
Gjiknuri tha se përmes firmosjes së marrëveshjes, PD dhe LSI pranuan se e keqja deri më sot nuk ka ardhur nga administrimi zgjedhor.
“për të qenë më të kuptueshëm, dua t’ju them se sot u arrit reforma e ligjit të ri zgjedhor. Por që mund të ishte më e mirë. Madje Partia Demokratike kërkoi që të rrijë në fuqi kodi aktual. Ndërkohë u hoq kushti i tyre për qeveri teknike. Kështu PD pranoi se e keqja nuk ka ardhur nga administrimi zgjedhor që ne kemi” – tha Damian Gjiknuri.
Ndërkohë për Astrit Patozin nga “Bindja Demokratike”, tymi i bardhë i marrëveshjes do t’i nxjerrë tymin e zi Shqipërisë për të paktën pesë vite në vijim. Ai ironizoi teksa tha se Lulzim Basha pranoi se ‘ishim më mirë atëherë kur ishim keq’.
“Depolitizimi i komisioneve është gjëja me minimale që duhej të vendosej. Jam i bindur se nga kjo marrëveshje humbet PD. Ajo madje pranoi përmes saj humbjen e zgjedhjeve të ardhshme. Fatkeqësisht ka rënë edhe fushaat disavjeçare e OSBE/ODIHR. Komisionet e politizuara janë gangrena më e madhe e zgjedhjeve” – tha Patosi në studion e emisionit “Java në RTSH”.
Ndërkohë, i ashpër u tregua edhe deputeti Ralf Gjoni. Ai e ciëlsoi si të turpshme marrëveshjen e bërë mes palëve.
“Ky është një pazar i pistë në kurriz të atyre që duan zgjedhje me standarde. Mesa duket topi që i hodhën Bashës para disa ditësh paska qenë prej lecke, Sepse vetë Lulzim Basha është një leckë që e përdorin. Të gjitha akuzat që PD ka bërë prej vitesh sot kanë avulluar në ajër. E pakuptimtë për mua është edhe heshtja e LSI” – tha Ralf Gjoni mbrëmjen e së premtes.