Nga Bajram Peçi
Sa qesharakë duken këta të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, kur shtiren se po mundohen dhe se e kanë marrë seriozisht negocimin për të bërë ndryshime, mbështetur mbi rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. S’kanë lënë gjë pa marrë nga periferia e problematikave për ta hedhin në tryezë, por sistemin zgjedhor jo!
Të gjitha për çka kanë negociuar deri tani: Numërimi, komisionerët, tekonologjia, policia, qeveria tranzitore, etj., nuk është se kanë tërhequr vëmendjen e zgjedhësve. Ato raportohen nga mediat vizive, sepse ua mbushin mirë programin, por pranë redaksive të tyre nuk ka asnjë përpjekje të informojnë opinionin, se për çfarë shkaku krerët e partive kryesore janë në një mëndje, që sistemi zgjedhor të mos ndryshojë?
Gjithashtu nuk ka deri më sot asnjë informacion se pse nuk shqyrtohen propozimet që vijnë nga shoqëria civile për uljen e numërit të deputetëve, e të tjera çështje kapitale, që as bëhet fjalë se mund të jenë kompetencë e këtyre ronxho-bonxhove përfaqësues në komision. Të gjithë e dinë se ato çështje janë kompetencë e kryetarëve të partisë, por armiqtë nuk takohen.
E dinë ata pse, por e di dhe populli!? Kjo ndodh se këtu sundon partitokracia. Ajo e ka zënë shtetin nga gryka dhe po ja merr gradualisht frymën. Vërtet Kushtetuta e Shqipërisë, në Nenin 2 të saj, përcakton se Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit, por kjo nuk ngjet të jetë e vërtetë, sepse duket qartazi që Sovraniteti u përket partive politike. Pika 2 e Nenit 2 të Kushtetutës gjithashtu përcakton se populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij në parlament…Ejani dhe besojeni këtë, kur sheh brënda tempullit të ligjit ca figura groteske e të çuditëshme?!
Partitokracia njihet si formë sundimi prej kohësh, është një formë e qeverisjes në të cilën qytetarët kanë pak rol. Në këtë system u kërkohet vetëm të hedhin votën. Edhe politikanë, individë me personalitet të spikatur, nuk luajnë asnje rol dhe nuk kanë asnjë ndikim. Janë partitë politike ato që sundojnë.
Partitë duket shkoqur që kanë shumë fuqi, një forcë kjo që në të vërtetë i është deleguar kryetarit të partisë ose vetë ai e ka rrëmbyer, duke shfrytëzuar mungesën e demokracisë së brendëshme në parti. Kështu ngjau me Pd-në, kështu po ngjet me PS-në. Kryesisht, në një sistem de-fakto dy partiak, është i pranishëm rreziku për praninë e “partive shtetërore”
Shoqëria shqiptare, që jetoi në diktaturë 45 vjet, kur ndodhnin ngjarjet e “Duarve të pastra” në Itali, nuk arrinte të kapte thelbin, atë që po i ndodhte shtetit italian dhe banorëve të saj, pasojë që vinte prej Partitokracisë tipike italiane. Dy partitë kryesore italiane ruanin shumë pushtet në Republikën e Parë, duke patur një ligj zgjedhor me listat e të zgjedhurve fiks, ku votuesit mund të shprehin pëlqimin për një listë, por jo për një kandidat të veçantë. Këtë sistem e kopjoi dhe Shqipëria dhe ska zot nëne që ta luajë. Partitokracia ishte gjithashtu arsyeja e protestave greke në vitit 2010 e 2011. Asgjë nuk mësuam nga ngjarjet te fqinjët tanë.
Shoqëria e sheh se po pushon së qeni demokraci dhe po bëhet diçka tjetër. Disa, në këto rrethana, e konsiderojnë vendin një plutokraci, pavarësisht se kush nga dy partitë vjen në pushtet. Mbi gjysma e deputetëve në parlamentin shqiptare kemi 30 vjet që i shohim dhe s’kemi çfarë u bëjmë se vijnë nga listat. Tek “Opinion”, Fevziu i quajti karagjozë, këta të rinjtë që pasonin listën dhe pranuan të futen për të zëvendësuar të larguarit. Ama, po të mos pranonin, “patjetër” që do ishin e quheshin “intelektualë” dhe do rivendoseshin në lista.
Pushteti i pakufizuar i partitokratëve ka zgjedhur të vendosë me ligj pagat e tyre, përfitimet, pensionet, bodigardët, automjetet, banesat, sekretaret, e të tjera, e të tjera, të cilët i dallojnë nga populli i shtetit më të varfër në Europë. As ka gjasa se mund t’jua heqi kush?
Kur ndodhi përmbysja e madhe e sistemit zgjedhor në Itali, Parlamenti ishte kundër. Askush nuk donte të ndryshonte sistemi. Por, ata që udhëhoqën betejën e “Duarve të Pastra” ja mbërritën të fitojnë të drejtën e referendumit për ndryshimet në Kushtetutë. Referendumi i qershorit i vitit 1991, i pyeti votuesit për listat që përgatisnin elitat e partisë dhe për delegimin e saktë të vendeve parlamentare te kandidatët e popullit. Me 62% të votuesve të elektoratit italian, referendumi kaloi me 95% të atyre që votuan pro. Italia votoi kundër partitokracisë.
Partia Demokracia Kristiane dhe ajo Socialiste bënë fushatë kundër referendumit, humbën dhe u zhdukën nga jeta politike.
Në partitokraci, vëndi, vota, zgjedhësit, populli, shndërrohen në një leckë pastrimi të kryetarit të partisë. Kryetarëve aq u bën se sistemin e përdorin për të zgjedhur e rizgjedhur figura jopopullore, madje të urryera, por që janë e mbeten servilë e besnikë të kryetarit. Shihini ata kryetarucët e partive aleate të PD-së, si si i shkojnë nga pas Bashës! I janë lëpirë e do i lëpihen se vetëm ai, kryetari, do i fusi ne listë, ndonëse dihet se partitokracia nuk u lejon asnjë hapësirë zhvillimit të partive të tjera. Ndonjëherë në lista janë dhe figura të fuqishme ekonomike e financiare, por pa mbështetje në popull, të cilët në një sistem tjetër zgjedhor nuk do kishin shanse të merrnin atribute që ua jep pika 2 e nenit 2 të Kushtetutës.
Është e njohur se përzgjedhja e listës është shije e Kryetarit. Juve keni vrejtje për kryetarin? Aha, prit se do ta marrësh përgjegjen! E patë se çfarë i bënë Patozit, Topallit, Ristanit, Bodes, Dades?
Kryetarët e partive kanë nominalisht të drejtën e propozimeve të listës për delegat në kongres dhe për deputet. Përzgjedhjet kanë kriter parësor simpatitë personale të Kryetarit të partisë, lista miratohet ”njëzëri”. Janë këta, të përzgjedhurit e Kryetarit që zgjedhin në kongres kryetarin e ri, qoftë dhe me parimin ”Një anëtar, një votë”. Nëse statuti i partisë parashikon edhe ”zërat ndryshe”, këta nuk kanë asnjë shans që të mbrrijnë në Asamble, në Këshill Kombëtar ose në Kryesi. Kjo i shpjegon tërë arsyet se pse, prej 20 vjetësh në partitë shqiptare vazhdojnë të drejtojnë të njëjtit individë. Demokracia e tyre e brëndëshme në parti i ngjan më shumë një butaforie teatrale.
Si rregull, zënë vënd në lista besnikë, që vlerë të vetme ka se i fituar zëmrën kryetarit. Individi në krye të pushtetit dhe shteti, i ngjajnë njëri-tjetrit. Kryetari i partisë, formimi, psikollogjia dhe kultura perëndimore apo lindore e tij, ndikon në dallimin e partive me mëndësi Europiane apo me mëndësi lindore. Vendimmarrja kolegjiale është cilësi e anëtarsisë të vëndeve perëndimore. Mendësia lindorja vendimmarrja është atribut i kryetarit të Partisë.
Mer rrugë kështu edhe përgjegja për pyetjen e parreshtur nervoze të rinisë Shqiptare: pse prej 30 vjetësh elita politike shqiptare ngelet po ajo që ka qënë?