Katër ditë pas ngjarjes së rëndë, banesa e familjes Breshanaj në këtë zonë është braktisur. Ata janë zhvendosur në brendësi të qytetit të Vlorës.
Në një intervistë ekskluzive të dhënë për Klan Plus, babai i 26-vjeçarit Kristian Breshanaj tregon momentet e para menjëherë pas ngjarjes.
“Çuni në atë kohë po kthehej në shtëpi së bashku me një shokun e tij. Në territorin e murit tim aty, ishte drita e një porte, në atë pozicion ai krimineli i ka goditur. Kam qenë unë i pari që kam shkuar. Jam njoftuar nga bashkëshortja ime që s’ka ardhur çuni dhe kam telefonuar direkt se dëgjova një krismë tha. Kam telefonuar direkt çunin, binte zilja dhe nuk përgjigjej. Atëherë mendoja që diçka ka ndodhur. Kur kam shkuar para çunit nuk kam bërë asnjë lëvizje, isha shumë gjakftohtë, sepse është puna ime mjek. Unë nuk reagova para çunit. Qëndrova shumë gjakftohtë, pavarësisht se në zemrën time kam një boshllëk të madh, më ka ndodh një fatkeqësi e madhe që unë nuk e meritoja si familje dhe si person”.
Për doktor Mondin, atentati ndaj të birit ishte një gjëmë. Si intelektual, nuk kishte menduar kurrë që i biri të mund të përfshihej në ndonjë organizatë kriminale. E megjithatë, edhe pse e vështirë të pranohet nga një baba, ai nuk hedh poshtë asnjë mundësi.
“Si në të gjitha zonat në Vlorë ka elementë që janë të skeduar, që njihen për problemet e tyre. Edhe tek zona e Ujit të Ftohtë elementë të tillë që shteti i njeh, por çuni im dilte aty te lagjia. Nuk lëvizte shumë. Ose dilte në këmbë, ose dilte në makinë. Dilte kontaktonte me shokë të lagjes që ai i ka pasur shokë fëmijë sepse ai ka jetuar prej 24 vitesh aty. Edhe takohej me ta rrinte, pasdite dilnin bënin xhiro, shkonin deri në Kaninë dhe ktheheshin. Dhe ky ishte itinerari. Në orën 22:00, 23:00 kthehej në shtëpi ose kthehej dhe më shpejt. Atentati mund të jetë edhe shkaku pse ky ka qenë në Belgjikë dhe atje mund të ketë pasur raporte me njerëz të ndryshëm. Ti mund të kesh komunikim po mund mos kesh marrëdhënie… Meqë ai është kthyer, mund të jetë aluduar nga të tjerë që mund t’i kenë faturuar dhe gjëra që nuk i ka patur”.
E rëndë për ta mbetet mënyra si u vra.
“Është një eliminim i tipit mafioz. Dhe që është bërë, nuk është bërë rastësisht ajo. Kjo është bërë e mirëorganizuar. Bashkëpunëtorët kanë qenë atje ku ka qenë çuni im që rrinte. Bashkëpunëtori e ka njoftuar të prisnin, ishte ora 24:00”.
Doktor Edmondi tregon për Klan Plus me detaje se çfarë ndodhi ditën e fundit, me kë ishte 26-vjeçari atë ditë, kur u kthye në shtëpi, me kë ishte telefonata e fundit.
“Unë atë ditë kam qenë me shërbim 24 orë në spital dhe nusja ka qenë në shtëpi. Por di këtë gjë, që çuni im pasdite është telefonuar nga një shok nga Durrësi që ishte me banim në Durrës dhe kishin qenë në kamp në Belgjikë që e kishin kapur, shok kampi, aty e kishte njohur. Kishte ardhur nga dy herë në Vlorë, ishte hera e dytë kjo që ka ardhur. Unë as e kam takuar kush është ky person. Por di që kishte patur komunikim me të. Por vetëm njohja në kamp, jo se kishte patur ndonjë njohje në Belgjikë në kohën që ka qenë atje. Thjesht shoqëri e kampit që ishin dy javë. Kjo ishte marrëdhënia aty. Çuni është vonuar atë natë që të kthehej në shtëpi ndryshe nga herët e tjera. Ka ikur që pasdite dhe është kthyer shumë vonë në shtëpi”.
Ndërkohë, Policia e Vlorës ngriti disa pista hetimi lidhur me ngjarjen. Një ndër to ishte edhe puna e Edmond Breshanajt si anestezist. I pyetur nëse është kërcënuar ndonjëherë nga ndonjë familjar, pasi gjatë operacioneve mund të ketë ndodhur ndonjë fatkeqësi, ai e mohon kategorikisht një gjë të tillë.
“Deri sot as kërcënim s’kam patur nga persona për jetën dhe as ndonjë proces penal që të jetë nga drejtësia për mjekim të pakujdesshëm, për neglizhencë edhe të gjitha këto. Veçse në gjyqe kam qenë dëshmitar për gjëra të tjera. Por asnjëherë nuk kam qenë i akuzuar”.
Pista tjetër ishte e kaluara e djalit të madh.
“Ai ka vite dhe që në moshën 19-vjeçare është shkëputur dhe sot është 29 vjeç. Është shkëputur nga ky mjedis, nuk ka lidhje fare”.
Ai lë evaziv faktin se djali mund të jetë përzier në ndonjë grup kriminal. Si baba, ai do që drejtësia të vihet në vend, ndaj ka edhe një apel.
“Shteti i ka strukturat. Mua të takon të zbuloj diagnozën tek njeriu dhe ata të zbulojnë këto krime nëpërmjet elementëve që kanë. Unë nuk jam njeri gjakmarrës, jam njeri që jap jetë, por do ta zbuloj me metodat e mia dhe unë në qoftë se shteti nuk e bën këtë gjë”.
Por deri ku kanë shkuar hetimet e policisë. Burime për Klan Plus vërtetojnë pjesën më të madhe të atyre çfarë Edmond Breshanaj tha në këtë intervistë ekskluzive.
Madje, ata shtojnë se Kristian Breshanaj shoqërohej me njerëz të botës së krimit, por vrasja e tij ishte surprizë, pasi në dukje nuk ishte i përfshirë thellë.
“Kristiani që fëmijë ka qenë djalë shumë i shkathët, shumë inteligjent, shumë i lidhur dhe bënte shumë për shoqërinë. Besonte shumë tek të tjerët. Ishte guximtar. I bënte veprimet të menduara”.
Megjithatë, ndryshe nga deklarata që i ati dha, se i biri bënte të gjitha veprimet e paramenduara, këtë duket se nuk rezultoi pasi ishte një veprim që i kushtoi jetën Kristian Breshanajt.
/a.r