Javë më parë kur Elona Agolli më njoftoi për botimin e tregimeve të “fshehura” të së ëmës, i kam shkruar Helena Kadaresë për ta pyetur se ç’dinte ajo për këtë letërsi të strukur, të gruas shkrimtare të Dritëro Agollit dhe nëse mund të bëhej një bisedë për shoqen e saj të rinisë. Helena u përgjigj menjëherë pozitivisht, duke dalë jashtë “kanoneve” që i ka vënë vetes si një grua diskrete, larg mediave. Shoqja e saj e rinisë, një rrëfim për të, bëhet shkas për një bisedë mbi letërsinë e grave, letërsinë e grave shkrimtare të martuara me burra shkrimtarë dhe një luftë të mundshme psikologjike, që u lë skenën burrave. Jo gjithnjë biem dakord në këtë bisedë, por Helena Kadare ndan me publikun një miqësi rinie, rrëfimet e kohës kur njohu lirinë, kujtimet me Sadijen, çfarë dinte për tregimet e saj, bisedën e fundit dhe premtimin e pambajtur.
Në një bisedë që shtrihet mes Tiranës pandemike dhe Parisit, bërë disa javë më parë, shkrimtarja kujton një frazë të francezi Emersson, “se vdesim ngaqë kemi lindur dhe që në momentin që lindim secili prej nesh ka bërë një lloj kontrate me vdekjen, ndaj duhet pritur me një fare qetësie”. Por kjo – thotë Helena – s’më bën të bie në dëshpërim, sepse vdekja u përket të gjithëve e të gjithë do të kalojmë përmes saj… Ajo u kujton dashuronjësve të letërsisë që kurrë nuk duhet të thonë “këtë do ta bëj më vonë”. “Çdo gjë që ato kanë dëshirë ta shkruajnë, çdo moment që ju ka bërë përshtypje dhe që mendojnë apo e ndiejnë se duhet ta hedhin në letër, të mos presin absolutisht çastin e duhur, të quajtur ‘kur të kem më shumë kohë’. Kohë s’kanë për të pasur kurrë. Ju siguroj për këtë. Asnjëherë nuk vjen ajo, koha ideale, për të bërë gjërat që duam apo kemi dashur të bëjmë”.
Biseda me Helena Kadarenë, për Sadije Agollin e letërsinë, për gratë dhe letrat, për rininë e kujtimet, për pallatin ku banuan të dyja, për dhomën e konviktit, vjen në kohë të trishta për vendin, por biseda është zhvilluar javë më parë, ndaj nuk i përfshin.
– Dasma juaj u bë shkas që Sadija, shoqja e kursit, të njihej me të shoqin, Dritëroin shumë vite më parë. Tani ata nuk jetojnë më dhe ja ku na vijnë në duar tregimet e saj të sirtarëve. Çfarë të sjellin në mend këta dy kufij kohorë me një libër të botuar pas ikjes së saj?
Është pikërisht siç thoni ju. Kemi qenë në një klasë me Sadijen në Fakultetin Gjuhë-Letërsi. Ishim pothuajse gjithë ditën bashkë, sepse banonim në një dhomë të konviktit të vajzave, që ishte përbri fakultetit. Me një fjalë, e ndanim çdo gjë bashkë. Që nga ushqimi i paktë deri te veshjet, kur ndonjëra prej nesh kishte ndonjë event special…
Unë u largova qysh vitin e parë nga konvikti ngaqë u martova me Ismailin. Në dasmën tonë ne bëmë një “skandal” të vogël për kohën: ftesat e dasmës i shkruam në emër të të dyve dhe jo, siç qe zakoni, që filani dhe filania (pra emrat e prindërve) martojnë vajzën e tyre. Dasmën e bëmë vetë, me kokën tonë, pa farefis e familje. Unë ftova shoqet e shokët e mi të klasës, Ismaili ftoi të gjithë Lidhjen e Shkrimtarëve. Dhe aty u njoh Sadija me Dritëroin. Pas natës së dasmës, shumë e rrëmujshme dhe shumë e bukur njëkohësisht, Sadija dhe Dritëroi vazhduan të vijnë në shtëpinë tonë dhe një pjesë të darkave i kalonim se bashku. Meqenëse në apartamentin tonë banonin edhe prindërit e Ismailit si dhe motra e vëllai i tij, unë vija rrëshqitazi në kuzhinë për të bërë ndonjë omletë me veze apo diçka të tillë dhe darkonim në dhomën tonë të gjumit mbi një valixhe që e përdornim si tryezë. Vite më vonë ne u vendosëm në të njëjtën godinë. Ata në katin e katërt ne në të tretin.
Vazhdonim të vinim te njëri-tjetri po jo aq shpesh sa më parë. Vite më vonë, Sadija më tha se po shkruante disa tregime për të cilët ende s’kishte vendosur t’i botonte. Një vit më parë, kur shkova ta takoj në apartamentin ku ajo me Dritëroin vazhdonin të banonin gjithnjë sepse ne u larguam ndërkaq prej andej, ajo më tha se kishte ndër mend t’i botonte këto tregime. E inkurajova dhe i thashë se ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Kishte pak kohë që ishte larguar Dritëroi nga jeta dhe ajo po e vuante shumë këtë humbje. Kjo e bënte të mos dilte më nga shtëpia. Kur u largova, i dhashë fjalën se kur të kthehesha në pranverë, do dilnim së bashku në qytet, sepse s’kishte kuptim që ajo të rrinte mbyllur si një vejushë. Po ashtu e lamë me fjalë që në kthimin tim në Tiranë, ajo do t’i kishte mbledhur dhe bërë gati tregimet.
Kur unë u ktheva, ajo nuk ishte më… Ishte një humbje e dhimbshme. Nuk e prisja të ikte kështu. Por ju e dini si janë gjërat në këtë botë. Je mirë e bukur mes njerëzve të tu të dashur dhe papritur, s’je më…
Këto ditë më ka marrë në telefon Elona, vajza e saj, për të më thënë se po më niste me postë librin e sapodalë të nënës së saj. U emocionova. Jam duke e pritur librin e shoqes sime shumë kureshtare ta lexoj e të mësoj përse ka shkruar. Në këto kohë pandemie edhe postat nuk punojnë rregullisht. Çdo ditë pres ardhjen e këtij libri…
– Në tregime, Sadija ndalet te jetët e vajzave e grave të viteve 1960, që përpiqeshin të ishin edhe zonja, edhe nëna, edhe njerëz të lirë mbi paragjykimet. Si ishte kjo peshë e zonjave të asaj kohe?
Siç ju thashë, jam e paduruar të di se çfarë ka shkruar Sadija në këto tregime. Kur t’i lexoj, do të di t’ju them edhe mendimin tim për to.
– Si mike rinie, ajo me kaçurrela të zeza e ju me gërsheta, keni folur gjatë mbrëmjeve në një ndërtesë njëkatëshe pranë Rrugës së Elbasanit. Çfarë i shqetësonte vajzat e asaj kohe dhe çfarë mundët të ndryshonit vit pas viti?
Po, konvikti njëkatësh kishte qenë dikur kazermë e ushtarëve italianë më duket. Kushtet ishin jokomode, ishim gjashtë vajza në një dhomë, banjat ishin të përbashkëta në fund të korridorit. Drejtoresha e konviktit ishte një grua dëshmori shumë e rreptë, që na e vështirësonte çdo dalje lirisht nga konvikti. Por mund të them me bindje të plotë se as hoteli më luksoz i ditëve të sotme nuk do kishte mundësinë të na jepte kaq shumë lumturi dhe kaq gëzim sa ai konvikt i thjeshtë me krevate druri. Ishim të lumtura në radhë të parë, pse kishim ikur nga tutela prindërore. Ashtu si ajo, edhe unë, vinim nga familje tepër konservatore, tradicionale, të rritura me rregulla të rrepta sjelljeje, me orare strikte, me kufizime të jashtëzakonshme. Në konvikt ishim të lira të bënim si donim vetë. Ishim të gëzuara që na kishte dalë e drejta e studimit në degën aq të dashur, që ishte letërsia. Kishim profesorë të zotë e me emër, që na e bënin kaq të pasur mësimin. Dhe mbi të gjitha, ishim të lira për të dalë kurdoherë. Me orare, pa dyshim, por të lira. Po kështu, lexonim me një uri të madhe të gjithë librat që i gjenim në Bibliotekën Kombëtare, pa na vënë kufi dhe ndalesa askush. Edhe në mbrëmjet e shkollës mund të vinim lirisht pa i kërkuar kujt liridalje.
Bisedat tona rinore vërtiteshin pikërisht rreth këtyre temave. Atë liri të çmuar që fituam, e ngritëm vetë, me forcat tona, por pa abuzuar kurrë me të. Më vonë, kur u bëmë nëna vetë, ditëm t’ua përcjellim fëmijëve këtë liri. Një liri që vinte së brendshmi dhe jo thjesht liri e jashtme.
– Keni shkruar një letër të ndjerë për Elonën, ditën që Sadija u nda nga jeta. Iu riktheva asaj letre dhe gjeta në të një mikeshe rinie, që ndihet pothuaj e tradhtuar nga një ikje e beftë. Si perceptohet një humbje?
Ndarja e njerëzve të dashur nga jeta është gjëja më e rëndë, më e padurueshme, më e hidhur në jetën e njeriut. Nuk ka njeri, me një farë moshe, të themi, që nuk e ka provuar humbëtirën, ndjenjën shkatërruese që shkakton vdekja. Për njeriun e dashur nuk ka kurrë moshë ngushëlluese. Për shembull, prindi mund të jetë në moshë të “tejkaluar” dhe ti ta pranosh humbjen e tij. S’bëhet fjalë. Sepse bashkë me moshën, shtohen edhe kujtimet e përbashkëta. Largimi i tyre është një ndjenjë hidhësie, një boshllëk, me të cilin njeriu nuk do mund të mësohet kurrë. Por… me duhet të bëj një ndalesë këtu. Duke shkuar vitet, njeriu mëson plot gjëra nga jeta, ndodh ajo që quhet përvojë. Bashkë me vitet që kalojnë, ti mëson se vdekja është një fenomen njerëzor miliona vjeçar dhe parë në këtë prizëm ti pranon të papranueshmen, pa u mësuar kurrë me të: Faktin që askush nuk do t’i shmanget asaj. Me përjashtim të mendësisë së diktatorëve, sigurisht… Pra, si ide ajo qëndron përherë në mendjet dhe veprimet tona. Kuptojmë, siç e shpjegon shkrimtari i shquar francez Emersson, (një shpjegim që më ka shkuar për zemër) se vdesim ngaqë kemi lindur dhe që në momentin, që lindim secili prej nesh ka bërë një lloj kontrate me vdekjen. Ndaj duhet pritur me një fare qetësie, ngulmon ai. Kur ne festojnë ditëlindjen, (ishte 90 vjeç vitin e shkuar kur i thoshte këto), unë e di që nuk është një vit më shumë, por një vit më pak. Por, kjo s’më bën të bie në dëshpërim. Sepse vdekja u përket të gjithëve. Të gjithë do të kalojmë përmes saj…
T’i kthehem largimit të shoqes sime. Është e dhimbshme kur vjen një lajm i tillë për një mikeshë. Aq më tepër kur je dhe larg… Pas viteve ‘90, ne u larguam nga Shqipëria, por kemi ardhur rregullisht në vendin tonë disa herë në vit, pa i humbur kurrë lidhjet me njerëzit. Gjëja e parë që kam bërë në çdo ardhje ishte kontakti me miqtë dhe mikeshat e vjetra. Sepse, siç thotë një fjalë e vjetër, që më pëlqen ta rikujtoj. “Zër miq të rinj, por mos harro të vjetrit. Të rinjtë janë prej argjendi, të vjetrit prej floriri”. Kam pasur rast të njihem më shumë njerëz jashtë Shqipërie, por zemra ime ka mbetur përherë aty, te miqtë e vjetër. Në zemrën time ata janë të pazëvendësueshëm. Kështu, humbja e kësaj mikeje, tani që s’do ta gjej më kur të vij, ka për të qenë kurdoherë një brengë. Ka kohë që mendimi i humbjes së njerëzve të dashur më bën të jem më e kujdesshme, më e vëmendshme, më e përkushtuar ndaj tyre, por edhe ndaj njerëzve në përgjithësi.
– Pak është folur për gratë e letrave a zonjat e letërsisë në Shqipëri. I kam parë shpesh si fluturat, që i tundin krahët magjishëm me tërë bukurinë që bartin, e që megjithatë, si fluturat fshihen shpejt, si për t’ua lënë ajrin zogjve. E megjithatë, ne i kemi zonjat e letërsisë, apo jo? A mund të na flisni për letërsinë e zonjave? Çfarë e mban një grua larg makinës së shkrimit?
Nuk jam dakord me ju për rrallësinë e femrave në letërsi. Nuk më duket ashtu. Njoh shumë shkrimtare gra, madje të talentuara dhe disa herë shumë më të ndjeshme në perceptimin artistik të botës. Ju i njihni ato, i keni aty mes jush. Një pjesë e tyre janë edhe mikesha të mija, madje shume të dashura. Siç është Diana Çuli, Elvira Dones, Fatmira Aliaj, Mira Meksi, Vera Bekteshi, Vera Isak, Meri Lalaj… Ka gjithashtu një armatë tjetër që nuk kam njohje të afërt, por që i çmoj dhe i ndjek me interes në botimet e tyre si Flutura Açka, Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Albana Shala, Lindita Arapi, Ledia Dushi e ndonjë tjetër. Ato vajza apo gra që i kane hyrë rrugës së krijimit nuk janë aspak flutura që “fshihen shpejt”, siç thoni ju. Ato vazhdojnë sot e kësaj dite me të njëjtin entuziazëm, me të njëjtën dëshirë të krijojnë e të na japin vepra të reja.
– Ngjan klishe, por është edhe e pashmangshme të pyesësh mbi zonjat që ua lanë letërsinë zotërinjve. Duket se si ju, që megjithatë nuk dolët tërësisht nga skena, edhe Sadija, u tërhoqët duke i dhënë letërsisë Ismailin e Dritëroin. Mbase në mënyrë të pavetëdijshme, zemra e një gruaje zgjedh?
Gratë që ua lanë vendin burrave të tyre, më pyesni ju. Kjo varet nga vullneti dhe përkushtimi i secilës prej nesh. Siç mund ta dini, unë kam botuar shumë herët në shtypin e kohës. Martesa me shkrimtarin Kadare më vuri para një përgjegjësie shumë më të madhe se sa po të kisha shkruar vetëm “për qejfin tim”, si të thuash. Së pari, doja të isha e paqortueshme në sytë e tij. Dhe kur, me ardhjen e fëmijëve në jete, puna jonë u dhjetëfishua, ose u shumëfishua, (ishte një kohë e vështirë që, veç vajtjes në punë, angazhimeve të përditshme dhe gjetjes së ushqimit, sidomos kjo e fundit, që të gjitha gratë e brezit tim e dinë fort mirë se ç’torturë ishte. Shumë shpejt u gjeta para alternativës që të vë në balancë krijimtarinë e secilit prej nesh. E ndërgjegjshme plotësisht se ajo që krijonte Kadareja ishte shumë herë më e vlefshme dhe sidomos e bukur, nga ajo që krijoja unë personalisht, më bëri të tërhiqem mënjanë pa bujë dhe pa u ankuar për këtë pozicion të zgjedhur me dashje. Duke i marrë përsipër të gjitha punët e përditshme, sa të lodhshme aq dhe të rëndomta. Ngaqë e doja aq tmerrësisht shumë letërsinë, duke parë atë që bënte ai, m’u duk krejt e arsyeshme kjo “dorëheqje”, për ta lënë bashkëshortin në një hapësirë krejtësisht të lirë, pa asnjë angazhim aq të mundimshëm familjar. Ja, kjo është e gjitha. Sapo kushtet u përmirësuan, pas viteve ‘90 e kam fjalën, u përpoqa të vë në vend mungesën time. Pra, të kap ritmin e humbur të viteve të shkuara. Besoj se Sadija do të ketë ndjekur të njëjtën rrugë.
-A do të kishit një mesazh për vajzat e reja që lexojnë, që shkruajnë e që ëndërrojnë si ju dikur, mes shpresës dhe besimit?
Mesazhi im për vajzat e reja do të ishte ky: Jeta nuk është aq e gjatë sa ç’kujtojmë kur jemi të rinj. Veç të tjerash, ajo kalon në një shpejtësi të pabesueshme. Siç thotë një fjalë e vjetër “Kur u kujtova të kuptoj se ç’ishte jeta, ktheva kokën prapa, por ajo kishte mbaruar!”. Me këtë dua t’ju kujtoj dashuronjësve të letërsisë që kurrë të mos thonë “Këtë do ta bëj më vonë”. Çdo gjë që ato kanë dëshirë ta shkruajnë, çdo moment që iu ka bërë përshtypje dhe që mendojnë apo e ndiejnë se duhet ta hedhin në letër, të mos presin absolutisht çastin e duhur, të quajtur “kur të kem më shumë kohë”. Kohë s’kanë për të pasur kurrë. Ju siguroj për këtë. Asnjëherë nuk vjen ajo, koha ideale, për të bërë gjërat që duam apo kemi dashur të bëjmë. Shtyjini tutje të gjitha punët apo angazhimet që keni nëpër duar, uluni dhe shkruani. Për gjithçka tjetër mund të vijë koha e dëshiruar, për krijimin jo. Është një çast magjik, që duhet kapur fluturimthi./gsh.al