Nga Edmond Arizaj
Pëllumb Pipero është miku im. Por nuk po shkruaj pse e kam mik.
Ndryshe do e kisha bërë për tre muaj rresht kur mijëra i thurnin lavde, i dërgonin dhurata, e uronin, e miklonin, shfaqnin foto së bashku me të si yll roku, apo si Ronaldo.
Po e shkruaj sot në këtë ditë të mirë (Fiter Bajram, me këtë rast gëzuar gjithë besimtarëve), sepse kam një shije metali në goje prej disa ditësh.
Njerëz, shumë njerëz, që nga llumi i rrjeteve, të papunët anonime, e deri tek ata që e sulmojnë doktorin se mendojnë se dëmtojnë Ramën, i janë sulur Pëllumbit me fjalë nga më të ulëtat, me insinuata të poshtra, e deduksione malinje.
Përdorin Pëllumbin për axhendat e tyre politike, apo pse jo edhe për të marrë sadopak “famë”. Për mua kjo është poshtërsi e trazuar fort me injorancë, ndyrësi dhe paburrëri.
Nuk është për të ripërsëritur “kalova lumin, të dhjefsha kalin” që na vishet aq mirë në trup shume prej nesh, sepse është bërë kaq bajate…kaq shumë kuaj janë dhjerë.
Por ama nuk e lë dot pa përmendur mars-prillin kur fjalët e Piperos priteshin si uji në shkretëtirë, kur ishte ai që qetësonte fort frikën dhe panikun, kur në një errësirë dhe vrimë të zezë lajmesh portalesh, ishte ai që ndizte dritën e qiririt që të mos humbisnit mendjen.
Si vallë ky ndryshim?
Si vallë hidhni poshtë specialistët që i kemi më pak, për politikanë e të tjerë që i prodhojmë si patate?! Unë nuk e shpjegoj dot.
Po ju bezdis Pipero që u thote “kujdes”?!
Normale se sot e keni virusin larg bythës, ju duket bezdisje. Çfarë prisni nga një infeksionist që ashtu si mijëra kolegë të tij kudo në botë NUK E DI SE ÇDO TË NDODHË.
Nuk e dinë jo pse nuk duan, por sepse nuk e kanë hasur e as nuk është studiuar plotësisht koronavirusi.
E jam i sigurtë që pasi të kalojë edhe qejfi i plazhit në gusht, nga shtatori e tetori, për çdo teshtimë, për çdo temperaturë do kujtoheni për Piperon.
Unë e njoh. Ai nuk do mbajë inat me askënd. Por ju duhet t’i mbani qëndrim vetes.
Sepse jeni ka kujtesëshkurtër. Madje s’keni fare kujtesë.
Pipero nuk ka fuqi ekzekutive, vetëm këshilluese.
Nuk është në “këshillin e madh” që merr vendimin t’ju mbyllë në shtëpi të shtunë e të diel, apo t’ju ndalojë detin e reren.
Madje është i vetmi mjek deri tani që kam dëgjuar që propozon hapjen edhe të zonave të kuqe në fundjave.
Prandaj mjaft goditët me gurë mbi njerëzit që kanë vlera. Nëse doni të shfreni frustrimin tuaj, gjeni shënjestra të tjera, jo mjekë, e aq më pak Piperon.