Nga Alfred Peza
Kishte vite që punonte për këtë ditë. Të paktën që nga momenti kur i shpalli luftë të hapur mazhorancës socialiste, përmes kthimit të të gjitha dekreteve që buronin prej saj në Parlament dhe Qeveri. Por vetëm tani, pas rrëzimit të godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar në Tiranë, Ilir Meta ia doli që të merte në duart e tij skeptrin e liderit real të opozitës shqiptare.
Atë që nuk e arriti dot kur refuzoi të firmoste emërimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm, shkarkimit të Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm dhe emërimit të Gent Cakajt në vend të tij, Kreu i Shtetit e ka arritur sot.
Atë që nuk e arriti dot, kur çdekretoi zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe firmosur dekretin për zgjedhjet e 13 tetorit që as nuk u bënë e as nuk u përmendën më, Presidenti i Republikës e arriti pari thirri për një takim në Vilën Nr. 4, liderët e “Opozitës së Bashkuar”.
Atë që nuk e arriti dot as kur paralajmëroi protestën e 8 dhjetorit në Sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, as kur premtoi nisjen e turit të tij nëpër Shqipëri, e as kur realizoi mitingun e 2 marsit 2020 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, përfaqësuesi i unitetit të popullit tentoi ta realizojë duke keqpërdorur edhe takimet me ambasadorët e huaj.
Mjafton të lexosh njoftimin që qarkulloi pas takimit me Lulzim Bashën dhe drejtuesit e tjerë të partive opozitare, për ta parë më qartë e për ta kuptuar më mirë këtë zhvillim të ri. “Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për “Opozitën e Bashkuar”,- thuhet në të.
Pra Ilir Meta tani nuk e fsheh më, që pozicionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, e ka zëvendësuar plotësisht me atë të liderit të opozitës. Për aq kohë sa në takim, e ka cilësuar shembjen e godinës së teatrit Kombëtar “si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për “Opozitën e Bashkuar”.
Nëse të njëtën do ta deklaronte Kryetari i Partisë Demokratike, gjithçka do të ishte krejt normale, në fushën e lojës politike. Edhe nëse do ta thoshte përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, apo kushdo drejtues tjetër i partive aleate pjesëmarrësve në këtë takim, përsëri do të ishte e njëjta gjë. Por, kur këtë e thotë vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë këtu ndryshon puna.
Sepse në një shtet demokratik, kur mer përsipër të flasësh edhe për vlerat europiane, ose do të jesh Kryetar i Shtetit, ose do të jesh Kryetar Partie. Ose do të ishe përfaqësuesi i unitetit të të gjithë popullit shqiptar, ose do të jesh vetëm përfaqësuesi i unitetit të popullit opozitar. Ose do të jesh President i Republikës, ose do të jesh lideri i “Opozitës së Bashkuar”.
Por nuk përfundon me kaq. Sepse njoftimi më pas vijon me fjalët: “Presidenti Meta theksoi rëndësinë që “Opozita e Bashkuar” të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.
Nëse Ilir Meta do të ishte në pozita të tjera me përfaqësuesit e opozitës, e jo ashtu siç ai e ka vendosur përfundimisht veten “de facto”, gjuha “politikisht korrekte” që përdoret në të tilla raste është ajo e inkurajimit, e bërjes thirrje dhe e nxitjes së “Opozitës së Bashkuar”, për të dhënë kontributin e saj në tryezën e reformës zgjedhore.
Siç shihet, edhe në këtë rast Ilir Meta ka përdorur gjuhën e faktit të kryer dhe jo atë të njeriut mbi palët politike. Çka edhe i shkon më shumë me sa duket, pozicionit të tij aktual me këtë grupim politik si lider i saj, pavarësisht se është e papajtueshme me pozicionin e tij zyrtar si Kryetari i Shtetit.
Si çdo e keqe që e ka një të mirë, edhe në këtë rast e mira është se jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët po e kuptojnë se jo Lulzim Basha më, por Ilir Meta vetë është lideri real i opozitës në vend. Ndaj tani duket të jetë thjeshtë çështje kohe, që kjo edhe të formalizohet, pasi të lerë zyrën e Presidentit për të dalë në rrugë, aty ku ndodhet prej më shumë se një viti edhe “Opozita e Bashkuar”.
E mira me e madhe qe Meta do ti bente vendit dhe demokracise ,ishte dereheqja dhe kalimi ne krye te partise se tij,pasi me kushtetute nuk i lejohet Presidentit te Republikes te dale nga roli si simbol i unitetit kmbetar