Aktori Gregory Tyree Boyce dhe e dashura e tij Natalie Adepoju janë gjetur të pajetë në shtëpinë e tyre në Las Vegas. Sipas autoriteteve çifti ka humbur jetën që në datë 13 Maj, por lajmi u bë publik sot.
Sipas USA Today shkaqet e vdekjes së parakohshme të aktorit 30-vjeçar dhe partneres së tij nuk dihen ende. Disa media shkruajnë se pranë trupave të tyre është gjetur një substancë e bardhë, çka ka shtuar dyshimet se çifti ka vdekur për shkak të një overdoze, por kjo mbetet për t’u konfirmuar nga autoritetet.
Boyce u bë i njohur nga roli i tij në Twilight në vitin 2008. Ai interpretonte personazhin e Tyler shokun e klasës së protagonistes Bella Swan. Në Dhjetor, në një postim me rastin e ditëlindjes, Boyce shkroi një reflektim për jetën, duke thënë se nuk mendonte se do t’ia dilte deri te të 30-at. Kohët e fundit ai ishte në pritje të projekteve të reja në kinematografi.