Sa budalla duhesh të jesh që të mendosh se do të gjesh sot shqiptarë që do të ndjehet indiferent kur dikush guxon të prekë mbi gjurmët katolike të shqiptarësisë së Shkupit.
Nga Emin AZEMI
Një gurë në sy është bërë për autoritet e Shkupit figura dhe vepra e Nënës Tereze. Tash së fundmi në emër të ‘zbukurimit’ të Shkupit, me vendosjen e një parku prej kartoni para pllakës përkujtimore të shtëpisë së lindjes në Nënë Terezës, autoritet e Shkupit dëshmuan botërisht se sa qesharak e joserioz janë edhe kur mundohen të zhbëjnë një histori dhe një të kaluar. Gjurmët shtëpisë së shenjtores shqiptare, aty ku para 110 vjetëve lindi Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza, nuk mund t’i mbulojë ky instalacion që emrin e ka park, sepse gjurmët nuk fshihen mekanikisht. Gjurmët mund të fshihen vetëm nëse del nga kujtesa një emër a një vepër. Me këtë veprim të shëmtuar, autoritetet e Shkupit rrënjosën edhe më thellë në kujtesën e shqiptarëve dhe gjithë botës së qytetëruar emrin dhe lavdinë e Nënës Terezë.
Sa jokreativ paskan qenë këta që e udhëheqin sot Shkupin, teksa kanë menduar se veprimet e tyre të shëmtuara mund t’i ndërmarrin në kohën kur botën e ka kapluar një pandemi e neveritshme dhe kur në vijim e sipër është muaji i Ramazanit.
Ish-nomenklatura politike e komunistëve maqedonas (Kolishevski, K. Cërvenkovski, Mojsov, Gligorov) pretendonin se identiteti fetar i shqiptarëve të këtyre trevave është me mbidominim mysliman dhe në emër të kësaj mendësie ata janë munduar të shkulin nga kujtesa kolektive rrënjët jomyslimane të shqiptarëve. Kështu vepruan me ortodoksinë shqiptarë të Rekës së Epërme, prej nga u shpërngulën jo vetëm fizikisht mijëra familje, por prej atje u zhbë edhe sentimenti i të qenit shqiptar me përkatësi krishtere.
Recidivizmi i komunizmit maqedonas u rishfaq sërish këtyre ditëve mu në qendër të Shkupit, duke i vënë para një sprove false shqiptarët, për të cilët ende mendohet se ata para myslimanizmit të tyre, pikërisht në muajin e Ramazanit, nuk vënë asgjë tjetër, madje as të krishterën Gonxhe Bojaxhiu. Por, kjo është një lajthitje lapidare, për arsye se shqiptarët janë shembulli më unik në bota brenda të cilëve bashkëjetojnë në harmoni tre religjione dhe ata kanë hyrë tash më edhe në analet e udhëpërshkruese të huaj si respektues fanatik të fesë së tjetrit.
Shqiptarët e Shkupit, ndonëse mysliman, treguan solidaritet të paparë gjatë Luftës së dytë Botërore teksa shpëtuan nga kthetrat naziste dhjetëra familje hebreje dhe kjo i bën ata të vaçantë sa i përket tejkalimit të përkatësisë fetare në emër të veprave humane e fisnike.
Sa budalla duhesh të jesh që të mendosh se do të gjesh sot shqiptarë që do të ndjehet indiferent kur dikush guxon të prekë mbi gjurmët katolike të shqiptarësisë së Shkupit.