Pas më shumë se tri orë e gjysmë diskutimesh, ka përfunduar samiti i liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, i zhvilluar përmes video-lidhjeve.
Në fund të Samitit të Zagrebit – i cili për shkak të pandemisë së koronavirusit u zhvillua në mënyrë virtuale dhe jo në kryeqytetin kroat – liderët nxorën një dokument të përbashkët të emëruar “Deklarata e Zagrebit”, përmes së cilit konfirmohet edhe një herë përkushtimi i BE-së për perspektivën evropiane të rajonit si dhe përkushtimi i këtyre vendeve për një të ardhme evropiane si zgjedhje e tyre strategjike.
Pas këtij samiti virtual, duke folur përmes video-lidhjeve, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula van der Leyen thanë se procesi i zgjerimi ishte një prej sukseseve më të mëdha në historinë e BE-së dhe se ky proces do të vazhdojë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas asaj që deklaruan për mediat, edhe liderët e tjerë që morën pjesë në këtë Samit, janë shprehur se pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE, nuk do të mund të thuhet se është përmbushur projekti i bashkimit të Evropës.
Kosova në Samitin e Zagrebit u përfaqësua nga presidenti, Hashim Thaçi.
Presidenti Thaçi gjatë këtij samiti, ka deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Ai po ashtu ka kërkuar që BE-ja urgjentisht të marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Para 20 vjetësh në Samitin e Zagrebit iu ofrua perspektiva evropiane Kosovës dhe Ballkanit. Është e dhimbshme që sot të dëgjojmë përkushtimin e njëjtë, por pa vendim për liberalizimin e vizave, e madje pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, përkundër që i kemi përmbushur të gjitha kriteret”, citohet të ketë thënë Thaçi.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, duke përmendur shembullin e vendit të tij – shteti i vetëm i rajonit që para 20 vjetësh ishte i pranishëm në një samit të tillë, e që tash është anëtar i BE-së – e quajti procesin e zgjerimit të BE-së, si një fuqi të madhe transformuese për vendet e rajonit. Por, ai shtoi se duke i mbajtur në pritje vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk stimulohen reformat.
Të gjithë folësit kanë nënvizuar se kushte të panegociueshme në procesin e përafrimit me BE-në do të jenë: sundimi i ligjit, procesi i reformave, respektimi i lirisë së shtypit dhe të drejtave të pakicave.
Por, përkundër faktit se në prononcimet publike të gjithë liderët folën për procesin e zgjerimit, ky term nuk është përmendur askund në “Deklaratën e Zagrebit” që u miratua në takim.
Aty më shumë flitet për lidhjet më të forta mes rajonit dhe BE-së. Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq u shpreh se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe miratimi i metodologjisë së re në procesin e zgjerimit, janë ndër sukseset më të mëdha të Presidencës kroate të BE-së.
Këto vendim edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i ka quajtur si dëshmi se janë tejkaluar ndasitë mes vendeve anëtare që ishin shfaqur më herët.
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula van der Leyen e ka quajtur si hap të rëndësishëm zhvillimin e samitit në kohën kur me BE-në kryeson Kroacia, si vendi më i ri anëtar, por edhe mbajtjen e këtij samiti në kohë pandemie.
Ajo ka shfaqur shpresën se metodologjia e re e zgjerimit do të ndihmojë që edhe të përshpejtohet procesi, ndërkohë që e ka quajtur pandeminë e coronavirusit si një mundësi që ndoshta edhe do të forcojë më shumë lidhjet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian ka përmendur mbi 3,3 miliardë euro, sa janë mobilizuar për ndihmë ndaj vendeve të rajonit nga ana e Komisionit Evropian. Kjo ndihmë, thanë në BE, shkon përtej çfarëdo ndihme që kanë dhënë vendet tjera dhe duhet të njihen edhe publikisht. Kjo referencë është porosi e qartë se BE-ja nuk e ka parë si veprim të duhur ekzagjerimin e ndihmës që në rajon kanë dhënë disa shtete si Rusia e Kina, ndërkohë që nuk është përmendur ndihma shumë më e madhe të cilën e ka dhënë Bashkimi Evropian dhe shtetet e saja anëtare.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta ketë prioritet zgjerimin. Në muajin qershor pritet të dalë paketa e re e zgjerimit me raportet e progresit për vendet e rajonit, ndërsa Komisioni do të paraqesë edhe një plan të veçantë të investimeve në rajon. /rel/
g.kosovari