Kryeministri britanik Boris Johnson zbuloi se doktorët po përgatiteshin të njoftonin vdekjen e tij nga koronavirusi, gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spital në gjendje aspak të mirë.
Në një intervistë për “Sun on Sunday”, Johnson thotë se kishte nevojë për shumë oksigjen dhe shtoi se eksperienca në spital e bëri që t’i shtohej dëshira për të ndaluar vuajtjen e të tjerëve dhe për të ringritur në këmbë Mbretërinë e Bashkuar pas pandemisë.
“Në spital, isha i lidhur me disa monitorë dhe shikoja që të dhënat aty shkonin gjithmonë në drejtimin e gabuar. Ishte një moment shumë i vështirë, nuk kam pse ta mohoj. Pyesja veten se si do të shpëtoja. Doktorët nisën të bënin strategjinë nëse nuk e fitoja betejën, strategji të tipit “vdekja e Stalinit”, theksoi kryeministri.
Johnson u diagnostikua me koronavirus në 26 mars dhe u shtrua në spital 10 ditë më vonë. Një ditë pas shtrimit, u dërgua në terapi intensive.
“Nuk e besoja dot që në aq pak ditë shëndeti im u përkeqësua aq shumë. Momenti më i keq ishte kur shanset e mia për mbijetesë ishin 50-50. Doktorët po mendonin nëse do më vendosnin tubin”, shtoi Johnson, pergatiti Tema.