Nga Veton Surroi
Ndërhyrja e ambasadorit Grenell dhe vonesa e marrëveshjes së energjisë tregojnë një gjë: ende nuk ka përgatitje të duhur për negociata serioze.
1.
Si të ishin të koordinuara, brenda dy ditësh dolën në sipërfaqe dy modele të veprimit të politikës së jashtme perëndimore karshi Kosovës. Njëri ishte ai i cicërimës së ambasadorit Grenell dhe tjetri shpallja e marrëveshjes energjetike KOSTT-ENTSO.
Veprimi i ambasadorit Grenell, në vazhdën e thyerjes së traditës diplomatike amerikane në Kosovë (dhe vende të tjera) cicëroi se “kur të hiqen taksa/reciprociteti (ndoshta këtë javë) do të fillojë me të vërtetë dialogu”. Kjo ishte përgjigje ndaj cicërimës së presidentit të vendit që paralajmëronte një qeveri të re dhe ku thoshte se “tarifat & reciprociteti duhet të hiqen në mënyrë që të forcohet përkrahja e SHBA&BE për Kosovën”.
Pa hyrë në delikatesat e formës (diplomacia di të japë mesazhe edhe më brutale në formë më fine), më tërheq më shumë paradoksi i brendshëm i kërkesës së ambasadorit. I kërkohet një qeverie të re që ta heqë taksën 100 për qind (ndonëse kjo tashmë është bërë) dhe që të hiqen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në mënyrë që “të fillojë me të vërtetë dialogu”. Qëllimi i dialogut, tashmë është e njohur edhe në formë të shkruar, duhet të vendosë marrëdhënie ndërshtetërore të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Paradoksi i brendshëm është evident: Kosova duhet të heqë dorë nga politika e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria në detyrë (dhe të legjitimuara, ndonëse jo ende të pranuara nga Komisioni evropian) në mënyrë që nëpërmjet të një dialogu, të cilit nuk i dihen as konturat e parimeve të ndërmjetësimit, të arrihet në një gjendje të reciprocitetit.
Nëse është kështu, pse të mos mbetet reciprociteti dhe pika fillestare e një “dialogu me të vërtetë” të jetë i bazuar në faktin e thjeshtë se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 2008 (në radhë të parë falë udhëheqjes amerikane) dhe duke kaluar prej adoleshentit në “klubin e të rriturve” ka të drejtë sovrane të vendosë marrëdhëniet me fqinjët?
2.
Ndoshta fjala sovranitet mund të na ndihmojë ta kuptojmë përgjigjen.
Siç u shpreh kryetari i LDK-së, gjëja e parë që do ta bënte qeveria e re do të ishte të hiqte dorë nga reciprociteti. Me këtë, qeveria e re nuk do të futej vetëm në kurthin e paradoksit të brendshëm, por do të ndërmerrte diçka që nuk besoj t’u ketë ndodhur shteteve evropiane. Pra, Qeveria e re do të duhej që si qeveri e një vendi sovran të hiqte dorë nga një instrument thelbësor i sovranitetit, e ky është reciprociteti. Këtë e kanë bërë që të gjitha shtetet e BE-së, si pjesë e një kontrate të shkruar. Pra, kanë dhënë një pjesë të të drejtave sovrane, që u përkasin shteteve klasike në mënyrë që ato t’i barten Bashkësisë, BE-së. Kosovës i kërkohet diçka që është krejtësisht e kundërt prej nocionit evropian të rregullimit të marrëdhënieve, që të heqë dorë nga sovraniteti (qoftë edhe përkohësisht) në këmbim për një premtim (“dialog me të vërtetë”).
Mund të dalë, natyrisht, argumenti i mbërthyer në njërin prej truqeve më të vjetra diplomatike “pse, a nuk po na besoni që po kërkoni diçka me shkrim?”, por varrezat e dështimeve diplomatike janë të mbushura me iniciativa që argumentin kulmor kishin “pse a nuk po na besoni”. Sa për ilustrim, Marrëveshja për asociacion të komunave serbe në Kosovë u nënshkrua nga politikanë kosovarë, të cilëve u erdhën diplomatë dhe u thanë fjalët magjike “a nuk po na besoni?”.
Problemet nuk do të mbeten me kaq. Në një proces negociator, në të cilin njëra palë duhet të heqë dorë prej një pjese të sovranitetit jo vetëm hyn më e dobët në të, por krijon një precedent. Nëse në fillim të procesit negociator ke hequr dorë prej reciprocitetit (së drejtës tënde sovrane) pse të mos heqësh në fund të procesit negociator nga një pjesë e territorit tënd (së drejtës tënde sovrane)?
Nëse në fillim ke pranuar modalitetin “a nuk po na besoni?”, pse të mos e pranosh edhe në fund?
3.
Përballë këtij modeli doli një tjetër, ai i marrëveshjes energjetike. Dhe s’do mend se do të ketë ithtarë të Evropës që në këtë moment do të thonë: ja një marrëveshje e mirë, e suksesshme, karshi një modeli të dobët cicërues amerikan. Por, ja pse nuk është tërësisht kështu.
Lajmi zyrtar është se dje është votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO). Në kuptimin e funksionimit praktik, Kosova nuk konsiderohet më si pjesë e një grupi të përbërë nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, por bën pjesë në një të veçantë me Shqipërinë. Në aspektin praktik, pra Serbia nuk mund të vendosë më për energjinë elektrike që kalon nëpër telat që janë mbi apo nën territorin e Republikës së Kosovës. Dhe, në aspektin praktik e në analogji me rrugët, energjia elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës do të qarkullojë në një autostradë katër a gjashtë korsish në vend të rrugës prej dy korsish, diku e asfaltuar e diku jo.
Në kuptimin politik, me dje është vendosur sovraniteti kosovar në sistemin e energjisë elektrike, në njëfarë kuptimi janë vendosur jo vetëm kufijtë, por edhe e drejta për të marrë vendime brenda atyre kufijve elektroenergjetikë.
Shërbimi i jashtëm i Bashkimit evropian mund të thotë se kjo është fitore e dialogut të Brukselit për normalizim, ngase Marrëveshja për normalizim të rrjeteve energjetike ishte nënshkruar më 2015 mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Por, nuk është kështu, apo bash kështu.
4.
Dialogu për normalizim i Brukselit ishte i strukturuar ashtu që të mos ishte i strukturuar. Nënshkruhej një marrëveshje dhe pastaj fillonin negociatat për implementimin e saj. Ndërkohë dilte ndonjë temë tjetër dhe kështu në pakufi. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, njohu ndër të parët se çështja e energjisë është çështje sovraniteti dhe nuk lejoi të ecet më tutje, por kërkoi që të lidhet me “marrëveshjen përfundimtare”, ose nëse jo, së paku me krijimin e Asociacionit të komunave serbe.
Dhe ky rrëfim do të ishte i këtillë po të mos kishte ndërhyrë Gjermania. Çështja e marrëveshjes së energjisë u shtrua disa herë nga udhëheqja gjermane në nivelet më të larta të Serbisë e Kosovës. Gjermania investoi 75 milionë euro në lidhjen e shpejtë (interkoneksionin 400kv) dhe 100 milionë euro në KOSTT. Këtë e bëri si pjesë e nxitjes së zhvillimit ekonomik në regjion, por edhe për stabilizim të rrjetit energjetik evropian. Kur Serbia u bllokua në qëndrimin e vet, ndërsa nuk vazhduan negociatat, Gjermania ndërmori një lobim të suksesshëm që çështja të depolitizohet e të jetë pjesë e vendimmarrjes së operatorëve të energjisë në nivel evropian. Ka dy vjet që një ekip gjerman merret pa shumë bujë me këtë. Dhe dje, me 22 vota për, 3 kundër dhe 4 abstenime, u fitua e drejta që të menaxhohet energjia elektrike në territorin e Kosovës dhe që kjo energji të mund të vijë e shkojë lirisht nëpër “autostradën” e Shqipërisë, e nëpërmjet saj kudo nëpër “autostradat” evropiane.
Nuk ishte sukses i Komisionit. Ishte korrigjim i mangësive të Brukselit nëpërmjet një politike të vendosur të Berlinit.
5.
Çka ndodhi, pra, brenda këtyre dy ditëve dhe dy modeleve diplomatike për Kosovën?
Emërtuesi më i shkurtër dhe i lehtë i përbashkët është se mungon një koncept për të ecur më tutje. Cicërimat nuk mund ta zëvendësojnë ndërtimin e parimeve transatlantike për një proces negociator serioz. Dhe, mangësitë që i krijojnë proceset joserioze si ai i Brukselit nuk do të mund të mbulohen gjithherë nga shtete mirëdashëse apo të interesuara për të dhënë zgjidhje.
Karantina është kohë e mirë për të menduar.
/kohaditore