“Po fshihet realiteti, tamponët e marrë në Shkodër dje nuk janë analizuar. Pse nuk analizohen tamponët e Shkodrës?”
Është kjo akuza dhe pyetja që ngre ish-deputeti demokrat Bardh Spahia.
Ai thotë se fshehja e të infektuarve është një akt kriminal, i përsëritur dhe se koha po tregon se nuk është rastësi.
Sipas tij, Edi Rama po luan me shëndetin e qytetarëve, posaçërisht të shkodranëve, duke e shndërruar këtë sfidë me COVID-19 në një betejë të sëmurë personale për manipulim shifrash.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se Shkodra është në të njëjtat shifra të infektuarish, 71, por shton se dje janë marrë 54 mostra testimi në Shkodër dhe ka dyshime të forta se nuk është analizuar asnjëra.
Kjo sipas tij, bëhet për të mbajtur shifrat në nivelin që do Edi Rama, duke fshehur realitetin.
“A ka më monstruoze se kjo? Si mund të lejohen persona të infektuar të sillen normalisht, potencialisht duke infektuar të tjerë, familjarë a kolegë, vetëm sepse Edi Ramës nuk i pëlqejnë shifrat në rritje, siç po ndodh edhe me fqinjët tanë? Si mund të fshihet një virus i tillë, në vend që të gjurmohet, frenohet e trajtohet?”, pyet Bardhi.
Ai shton ndër të tjera se filozofia e fasadës që ka përdorur prej ditës së parë kur ka hyrë në politikë, rrezikon jetë në këtë situatë, duke e cilësuar si papërgjegjshmëri kriminale.