Javën e kaluar Austria u bë vendi i parë më Europë që njoftoi se do të fillojë heqjen e masave të bllokimit, dhe t’i rikthehet normalitetit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Shqipëria ka të ngjarë ta ndjekë pas. Kryeministri Edi Rama njoftoi se vendi ynë po ndjek modelin austriak për heqjen e masave të marra për të luftuar koronavirusim.
Jo vetëm Shqipëria por të gjitha qeveritë e europiane janë “sy e vesh” nga Austria për të parë nëse ajo mund të balancojë me sukses rindërtimin e ekonomisë së saj dhe sigurinë e qytetarëve. Austria mbylli pothuajse gjithçka në momentin kur vendosi masat e bllokimit më 16 mars, përveç supermarketeve dhe farmacive, ashtu si vendi ynë. Megjithatë, duke filluar nga e marta e kesaj jave, të gjitha dyqanet nën 400 metra katrorë janë lejuar të hapin dyert. Vendimi i qeverisë së kancelarit Sebastian Kurz theksonte në mënyrë të veçante hapjen e kopshteve dhe të dyqaneve të pajisjeve elektronike.
Më 1 maj Austria do të hapë qendrat tregtare dhe parukeritë. Maska për të gjithë qytetarët dhe mbajtja e dorezave mbrojtëse është mënyra se si Austria shpreson të ndalojë përhapjen e virusit pavarësisht se hap bizneset.
Qeveria austriake thotë se vendosja e maskave për fytyrën në supermarkete dhe farmaci, do të mbetet në fuqi për një afat të pacaktuar, madje do të jetë e detyrueshme edhe për transportin publik. Austriakët janë udhëzuar t’i përdorin ato përpara se të hyjnë në dyqane ose automjete.
Mediat në Vienë shkruajnë se qeveria po hap ekonominë duke besuar tek ndërgjegjia qytetare për të mbrojtur veten dhe të tjerët, duke udhëzuar austriakët të vazhdojnë të ruajnë distancën fizike, shmangur radhën dhe mbajtur gjithnjë veshje mbrojtëse.
Udhëzimet e qeverisë austriake përcaktojnë se njerëzve që nuk jetojnë së bashku në të njëjtën shtëpi nuk u lejohet të qëndrojnë ose të ecin një meter pranë njëri-tjetrit në rrugë.
Kurz tha se motoja austriake ishte: “Sa më shumë liri që të jetë e mundur dhe sa më shumë kufizime të nevojshme”.
“Vazhdoni të qëndroni të fortë ashtu si keni qenë. Kriza nuk ka mbaruar”, deklaroi të martën kancelari.
Austria po lejon hapjen e dyqaneve, me kusht që të ketë vetëm një klient ne çdo 20 metra katrorë. Dyqanet mund të hapen nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të pasdites. Dyqanet që lejojnë shumë klientë menjëherë do të përballen me gjobë deri në 3,600 euro. Karburantet, lavazhet serviset dhe dyqanet e riparimit të biçikletave kanë qënë të parat që janë lejuar të rihapin dyert e tyre për klientët. Parqet publike gjithashtu u rihapën të martën, por me kontrolle të rrepta hyrëse për t’u siguruar që mos të mblidhen shumë njerëz.
Por edhe pse në përgjithësi plani është mirëpritur si brenda ashtu edhe jashtë Austrisë, si qeveria ashtu edhe ekspertët pranojnë se rreziqet janë të larta. Nëse njerëzit nuk u përmbahen masave parandaluese, heqja e masave kufizuese mund të shkaktojë një valë të dytë epidemia, që do të ishte e papërballueshme për biznesin, por edhe personelin mjekësor.
“Nuk është ora që të sillemi sikur gjithçka të ketë mbaruar”, thotë profesori Hans-Peter Hutter, nënkryetar i Qendrës për Shëndet Publik në Universitetin Mjekësor të Vjenës. “Duhet të jetë shumë e qartë se rivendosja e lirive të caktuara vjen me kusht që ne si qytetarë duhet të jemi më të kujdesshëm se kurrë dhe të mos e humbim vëmendjen,” vazhdoi ai.
“Është e mundur që nëse njerëzit nuk i zbatojnë këto masa, shtoi Hutter, ne do të mbetemi në të njëjtën pikë që ishim katër javë më parë, dhe epidemia të rifillojë përsëri”.
Zyrtarët besojnë se shpejtësia me të cilën Austria reagoi ndaj koronavirusit dhe sistemi i saj i mrekullueshëm i kujdesit shëndetësor kanë qenë vendimtare për të ndihmuar vendin të shkallën e infeksionit.
Kurz tha të martën se vendi i tij ishte “në rrugën e duhur”. Ai tha se shkalla e rasteve të reja po binte dhe falënderoi austriakët për disiplinën e tyre.
“Tani do të bëjmë hapat e parë drejt një normaliteti të ri”, tha Kurz.