Qindra studentë, pedagogë të universiteteve publike dhe aktivistë të lëvizjes ‘Për Universitetin’ janë grumbulluar mesditën e sotme në një tubim para godinës së Këshillit të Ministrave.
Nën moton ‘Kundër dhunës’, studentët protestojnë për shoqërimin e disa studentëve që qëlluan kreun e ekzekutivit me vezë si dhe kundër reformës në Arsim. Kjo e fundit sipas protestuesve, i jep prioritet universiteteve private dhe cënon ato publike.
“Sot duhet të shkundemi e të shpluhurosim supet e rënduara nga pesimizmi e indiferenca shoqërore. Ato qindra metra nga Korpusi te kryeministria do të jenë maratona jonë për të dhënë lajmin e madh të ngadhënjimit qytetar ndaj dhunës së pushteteve shtetërore e private. Çdo hap i përbashkët do të jetë tulla më e qëndrueshme e ndërtimit të një ardhmërie universitare dhe shoqërore së paku normale. Bashkohemi!” – shkruan në Facebook pedagogu Arlind Qori.