Zgjatja e orarit që mban hapur bankat duket se nuk e ka zgjidhur përfundimisht radhën e madhe që njerëzit mbajnë para tyre. Kjo vihet re në disa qytete, por sidomos në Fier, aty ku mund të thuhet se situata është alarmante.
Shumë qytetarë ndodhen para dyerve të bankave, por ajo që është më shqetësuese është se nuk respektohet distanca dhe nuk ka masa të tjera të sigurie. Për të normalizuar situatën ka ndërhyrë policia, por duke qenë se janë shumë qytetarë sërish vihen re parregullsi.
Ndërkohë edhe Bulevardi i qytetit të Beratit ka qenë sot më i boshatisur se asnjëherë tjetër, sa të duket se jemi ende në shtetrrethimin e fundjavës. Mosndërgjegjësimi i beratasve për të respektuar rregullat ka bërë që policia të shtojë efektivët e saj në qendër të qytetit, ku edhe janë vendosur shumë gjoba për kalimtarët e pabindur.
Mësymja e policisë në Bulevard ka boshatisur tërësisht sheshet, parqet e lulishtet e qytetit duke prishur kështu edhe “rutinën” e xhirove të të rinjve. Radhë të gjata dhe grumbullime njerëzish ka pasur në bankat e qytetit, ku të gjithë shihen në radhë ngjitur me njëri-tjetrin dhe pa asnjë masë mbrojtëse. Në këto kushte, është dashur ndërhyrja e forcave të policisë për të bërë shpërndarjen e njerëzve që qëndronin në radhë para bankave, pa respektuar distancën.
g.kosovari