Nga Alfred Peza
Nëse doni që ta kuptoni sesa seriozisht dhe sinqerisht e ka opozita jonë, përfshirjen e saj në luftën kundër Covid-19 në Shqipëri, mjafton që të shihni një postim të sotëm në facebook të Sali Berishës. Një fotoje të disa qytetarëve në një treg, i ka vendosur diçiturën: “Sot në Përmet! Thirrje qytetarëve mos krijoni një grumbull të tillë! Është i rrezikshëm për shëndetin tuaj! sb”
Nëse pamja është vërtetë e sotme dhe e fiksuar në Përmet,- gjë që kur e poston ish Kryeministri askush nuk mund ta vë dot dorën në zjarr,- thirrja ishte për tu marë në konsideratë. Megjithëse dukeshin shenjat e verdha për ruajtjen e distancimit social, përpara tezgave të fruta- perimeve në një treg, ato dukej se nuk po respektoheshin nga qytetarët.
Ka të paktën tri arësye, se përse kjo qasje nuk është as serioze dhe as e sinqertë.
E para, sepse është hera e parë pas 5-6 javësh qëshkurse Shqipëria është futur në karantinë, që Sali Berisha e bën një thirrje të tillë qytetarëve për kujdes. Ndërkohë që gjatë gjithë ditëve të tjera, ai ka postuar më së shumti “lajme”, që nxisnin të kundërtën e asaj që predikonte sot.
E dyta, thirrja e tij bëhej për Përmetin, që nuk ka regjistruar deri tani, asnjë rast pozitiv me koronavirus. Qyteti ndodhet në skajin më ekstrem të jugut të vendit, në qarkun e vetëm (Gjirokastër) që për fatin e mirë, nuk ka ende asnjë qytetar me Covid-19 në Shqipëri.
E treta, megjithëse sot u raportuan se 2/3 e të prekurve të rinj nga virusi vrasës, vinin nga Shkodra dhe se ky qytet ka në total 70 të infektuar (i dyti pas Tiranës), ish Kryetari i PD as ka bërë dhe as nuk vazhdon që ti bëjë thirrje qytetarëve atje, për tiu bindur masave të vendosura nga qeveria. Duke qenë një bastion i tyri, politikanët demokratë kanë nxitur qytetarët që ti refuzojnë dhe ti rebelohen rregullave që po aplikohen për përballimin e pandemisë globale.
Ndaj nuk ishte çudi që edhe “Zëri i Amerikës” raportoi se situata alarmante në Shkodër, ka ardhur për shkak të sfidimit që i bënë qytetarët dhe Bashkia, urdhërit të Kryeministrit Edi Rama. Nobelisti dhe editorialisti i “The New York Times”, Paul Krugman i quan Anti- Kasandra të gjithë ata ekspertë që kanë dështuar në të gjitha parashikimet e tyre, por që megjithatë vijojnë të respektohen sikur të mos kishin ndodhur asgjë.
Sali Berisha të paktën u tregua “i sinqertë” kur tha pak ditë më parë se e kishte harruar profesionin e tij bazë, atë të mjekut. Sigurisht ajo që nuk ka harruar, është zanati i politikanit. Dikur Fahri Balliu shkroi një libër për të: “Berisha përmes kasandrave”. Ndërkohë që tani po bën Anti- Kasandrën, sëbashku me të gjithë ata politikanë të tjerë të opozitës, të cilët vazhdojnë dhe deklarojnë me mburrje se janë mjekë në profesion. Janë të njëjtë që gjatë këtyre viteve, kanë qenë ish Ministra e zv. Ministra të Shëndetësisë e kanë bërë politika dhe ligjet në këtë fushë, për tri dekada me radhë.
Tritan Kalo mjeku i njohur infeksionist që ndodhet në vijën e parë të zjarrit në luftën ndaj koronavisurit, përmes një postimi në facebook-un e tij, hodhi akuzua shumë të forta dhe ka një thirrje: “Politikanët rrënimtarë të Shëndetësisë Publike të pas 31 Marsit 1991 të të dy krahëve të politikës, si dhe ata Drejtues jo vizionarë të QSUT “Nënë Tereza” të pas 1993, së paku duhet të heshtin në këto kohë COVIDIANE….”
Sipas tij, “ishin mediokriteti dhe partitizmi i tyre, ato që e dëmtuan në themel strukturën mirë-funksionale në aspektin epidemiologjik dhe jo vetëm, të të vetmit Shërbim Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në Shqipëri. Politikanët tanë në këto 30 vitet e fundit, shpesh njëlloj si edhe pulat e kanë futur “sqepin e tyre në të njejtin ushqim”, duke prodhuar më pas politika jo të mbara, aromëmbytëse dhe rrënuese së paku për Lëminë e Përkujdesjes dhe Ndjekjes së të sëmurëve me Sëmundje Infektive.”
Anti-Kasandrat e opozitës sonë megjithëse përgjegjës për rrënimin e sistemit shëndetësor shqiptar, kanë vazhduar edhe këtë radhë pa iu dridhur aspak qerpiku, që të dështojnë në të gjitha parashikimet e tyre ogurzeza rreth pandemisë në Shqipëri. Megjithatë propaganda opozitare dhe partitë e tyre, vazhdojnë që ti kenë në ballë të luftës për të prodhuar politikë në kurriz të shëndetit të qytetarëve, në kulmin e luftës ndaj Covid-19.
E pas kësaj, mos i besoni po deshët liderët e opozitës sonë, kur i qajnë hallin Përmetit, ndërkohë që nxisin shkodranët që të vazhdojnë të mos e dëgjojnë qeverinë, për karantinimin dhe distancimin social.