“Nuk e dimë se ku jemi. Nuk kthehemi dot, se nuk na lejon shteti islamik”. Nga tavolina e dëshmitarit në sallën numër 1 të Gjykatës për Krimet e Rënda, Agim Ndregjoni tha dje se kjo është përgjigjja që merr gjatë komunikimeve në Skype me mbesën dhe nipin e tij të mitur, 7 dhe 9 vjeç, të cilët mendohet të jenë në Siri. Ndregjoni ishte thirrur si dëshmitar i Prokurorisë në procesin gjyqësor në ngarkim të nëntë të akuzuarve për terrorizëm dhe rekrutim e dërgim në Siri të besimtarëve myslimanë.
Dëshmitari shpjegoi se si dy vjet më parë, bashkëshorti i motrës së tij, Shkëlzen Dumani, u largua nga Shqipëria duke marrë me vete edhe dy fëmijët e mitur, pa dijeninë e së ëmës. Më herët Dumani, i cili mendohet të jetë vrarë gjatë luftimeve në Siri, i ka marrë përmes mashtrimit bashkëshortes një deklaratë noteriale ku i lejonte nxjerrjen e fëmijëve jashtë kufirit. “Atë që ka bërë kunati, nuk e bën kush. Nuk i merren fëmijët nënës me mashtrim”, tha dëshmitari. Në seancë, prokuroria hoqi dorë nga pyetja e dëshmitares Mide Dumani, nëna e dy të miturve. Nga ana tjetër, të pandehurit pretenduan se prokuroria nuk ka asnjë provë konkrete për akuzat e ngritura ndaj tyre.
“Keni vetëm përralla. Ju po na luftoni vetëm për fenë tonë”, tha nga kafazi i pandehuri Gerti Pashja. Dëshmitari Agim Ndregjoni tha dje se motra e tij kishte menduar se kishte firmosur kontratën e shitjes së një banese te noteri, pa ditur se bashkangjitur kishte qenë një deklaratë për lejimin e fëmijëve të saj të udhëtonin jashtë vendit vetëm me babanë, shkruan “Panorama”.
Sipas tij, Dumani i kishte folur motrës së tij vetëm për një fundjavë me fëmijët në Shkodër dhe faktin se mund të kalonin në Malin e Zi, por jo se po nënshkruante ndonjë leje. Në vijim ai tregoi për takimet që kishte pasur me të pandehurit, Bujar Hysa dhe Orion Reçi, ku u kërkonte se si mund të kontaktonte me kunatin që ishte larguar bashkë me dy fëmijët. Sipas dëshmitarit, të dy të pandehurit ishin treguar të gatshëm për ta vënë në dijeni nëse mësonin gjë. I pandehuri Reçi, sipas Ndregjonit, i kishte fshehur faktin se një natë para largimit Shkëlzen Dumani dhe dy fëmijët kishin fjetur në banesën e tij.
Dëshmitari rrëfeu dhe për telefonatën e parë që kishte pasur nga kunati, një javë pas largimit të tij. “Kemi folur në telefon me të dhe na tha ‘nuk keni pse krijoni konflikt. Unë e kam bërë me kokën time. Kam marrë fëmijët e mi”, tha dëshmitari. Sipas tij, lajmin për vdekjen e kunatit ia kishte komunikuar nëna e tij, Medi Dumani, nga Siria.
“Më fëmijët kemi komunikuar me Skype. Mund të lidhemi me ta një herë në muaj, ose një herë në dy muaj, përmes nënës së Shkëlzenit. Ajo nuk ndihet mirë kur e pyesim se ku janë. Fëmijët thonë: ‘Nuk e dimë se ku jemi’. Kur i pyes pse nuk kthehen, Medi Dumani thotë se ‘nuk na lejon shteti islamik’. Këtë më ka thënë edhe mbesa, që pa mbushur moshën madhore nuk i lejojnë të kthehen. Fëmijët duken mirë, jo të shpërqendruar, apo ndonjë sjellje tjetër të çuditshme”, tha dëshmitari kur u pyet në lidhje me fëmijët e mitur të motrës së tij. Një vit më parë, Mide Dumani kërkoi ndihmë përmes një letre të hapur për rikthimin e fëmijëve të saj në Shqipëri.