Rezervat e Shtetit në Lundër prej javësh janë kthyer në një kantier të madh ku punohet pa ndërprerje për të bërë të mundur asistencën me pako ushqimore të mijëra familjeve në nevojë.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është rikthyer për të disatën herë gjatë kësaj periudhe në mjediset e Rezervave të Shtetit për të parë situatën, shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako.
“E rëndësishme është që kontrata që sapo kemi finalizuar prej 830 mijë eurosh, na krijon mundësinë që të furnizohemi me mallra ushqimore për t’i ardhur në ndihmë mbi 30 mijë familjeve.”, – u shpreh ministrja Xhaçka. Ajo kërkoi ndihmën e Komandës Mbështetëse për të vënë në dispozicion magazinat e saj pasi ato të Rezervave të Shtetit nuk mjaftojnë për magazinimin e të gjitha produkteve për shkak të sasisë së madhe të pakove që përgatiten.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako garantoi se deri më tani situata është plotësisht në kontroll në bashkëpunim edhe me kryetarët e bashkive.
Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku theksoi se FA do të dyfishojnë kapacitetet për të ndihmuar jo vetëm me operacionin e shpërndarjes në terren, por edhe për çdo nevojë tjetër.
“Deri më tani me ndihmën e pushtetit vendor, shërbimit social edhe të gjithë aktorëve të tjerë është bërë e mundur ndihma për mbi 250 mijë qytetarëve dhe familjeve në nevojë. Cilat do të jenë sfidat me të cilat mund të përballemi për shkak të luftës me një armik të padukshëm, puna vijon për sigurimin e nevojave ushqimore pa ndërprerje, përgatitjen e pakove familjare dhe dërgimin e tyre derë më derë përmes Rezervave të Shtetit, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Social apo shoqatave bamirëse.” – bëri me dije ministrja Xhaçka.
Ligji “Për Mbrojtjen Civile” ngarkon me përgjegjësi primare bashkitë, si strukturat e para, që duhet të reagojnë në raste emergjencash civile apo fatkeqësi natyrore, për marrjen e masave dhe sigurimin e asistencës me ushqimet bazë, pikësëpari të familjeve në nevojë.
Pasi bashkitë të kenë mbaruar fondet e tyre dedikuar me ligj për situata të tilla, atëherë Ministria e Mbrojtjes, përmes Rezervave të Shtetit ndërhyn për t’u ardhur në ndihmë.
Aktualisht, bashkitë po ndjekin procedurat ligjore për prokurimin e mallrave të tillë, sipas ligjit përkatës për blerje në raste emergjencash.