Dhjetë mjekët që u dërguan në mision ndihme në Itali kanë filluar sot punën në spitalin e Breshias në Itali, ndërsa 20 infermierët do të fillojnë nesër, të ndarë sipas pavioneve ku janë nevojat më të mëdha.
Ministrja e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u lidh drejtpërdrejt me mjekët në spitalin e Breshias, duke i’u shprehur mbështetjen maksimale për këtë mision humanitar.
“Ne mjekët filluam të gjithë punë sot, infermierët do të fillojnë nesër. Reanimatoret kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, tha Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ju shprehu mbështetjen në këtë moment të vështirë.
Grupi i mjekëve në Itali kanë kërkuar mirëkuptim nga media. “Ne duhet të përqëndrohemi tek kjo punë për të cilën kemi ardhur”, tha mjeku Ermal Pashai.