Duke filluar nga dita e nesërme 1 prill, hyn në fuqi vendimi i cili i rrit pensionet në masën 2.3%.
Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pensioneve të pensionistëve dhe kategorive të tjera që trajtohen financiarisht me pensione ose të ardhura që jepen nga sistemi i sigurimeve shoqërore.
Rritjen 2.3% e përfitojnë të gjithë personat që marrin pension invaliditeti, familjar, të parakohshëm dhe ata që kanë punuar në punë të vështira e industri të rënda.
Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi parashikohen në masën 2.1 miliardë lekë dhe, bazuar në përllogaritjet e shtesës së indeksit të çmimeve për vitin 2019 ndaj 2018-s, projekti parashikon rikuperimin total të efekteve negative të rritjes së çmimeve të mallrave e shërbimeve të shportës së pensionistëve.
Nga zbatimi i këtij vendimi do të përfitojnë mbi 669 500 pensionistë, mbi 12 mijë nëna të cilat janë të vetëpunësuara në sektorin bujqësor e që përfitojnë barrëlindjen dhe 14 mijë përfitues të ardhshëm, duke e çuar në total numrin e përfituesve në 682 800.
Pagesat me shtesat e rritura do të nisin të përfitohen menjëherë që në muajin prill të këtij viti.
Më poshtë paraqiten detajimet për efektet financiare në buxhetin e shtetit:
-Efekti financiar për 543.500 individë që marrin pension qyteti është 1.73 miliardë lekë;
-Shuma që shtohet nga buxheti për 121.200 pensionistë në fshat është 214.3 milion lekë;
-Shtohen në buxhet 3.2 milion lekë për 2.600 pensione sociale;
-Shtohen 10.3 milionë lekë për rritjen e shpërblimeve të nënave me leje barrëlindje në fshat;
-Shtohen 117.7 milionë lekë për rritjen e pensioneve të parakohshme dhe suplementare të ushtarakëve, policisë, ish- punonjësve të minierave, industrisë së naftës dhe metalurgjisë, një pjesë e të cilëve janë në proces të llogaritjeve dhe të marrjes së përfitimeve për shkak të zbatimit të ligjit nr. 29/2019, për përfitimet e punonjësve të profesioneve të vështira.
/a.r