Të gjithë bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milion lekë në vit mund të përfitojnë një pagesë prej 26 mijë lekësh për çdo person që kanë të punësuar.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin i cili ka hyrë në fuqi menjëherë duke mundësuar kështu dhënien brenda 10 ditëve të para të muajit prill të të gjitha pagesave për të vetëpunësuarit dhe punonjësit në ndërmarrjet e vogla.
Nga ky vendim mund të përfitojnë vetëm sipërmarrësit e vegjël të cilëve iu është ndërprerë aktiviteti për shkak të masave të marra kundër përhapjes së Covid-19, dhe jo bizneset të cilat lejohen të punojnë.
Në këtë formular, administratori duhet të plotësojë të dhënat me niptin e kompanisë, emrat e punonjësve ose të personave të familjes nëse janë të deklaruar si të punësuar pa rrogë, bankën dhe numrin e llogarisë.
Formulari plotësohet online në dosjen e-filling që ka çdo tatimpagues, ndërsa pagesa prej 26 mijë lekësh derdhet menjëherë në bankë nga administrata.
Tatimet lejohet të kryejnë kontrolle për të verifikuar nëse biznesi është vërtet i mbyllur apo jo.
Për personat e regjistruar si të papunë deri më 10 mars dhe për familjet me ndihmë ekonomike pagesa do të dyfishohet menjëherë, ndërsa nuk do të ketë nevojë për plotësimin e të dhënave shtesë nga ana e tyre.
Në total fondi i ndihmës ekonomike kap një vlerë prej 58.5 milion dollarësh dhe përfitojnë 20 mijë ndërmarrje, 30 mijë të punësuar pa pagë në bizneset e vogla, 70 mijë familje me ndihmë ekonomike dhe 2700 individë që marrin pagesë papunësie.
PERFITUESIT NGA PAKETA E NDIHMES EKONOMIKE
Bizneset me aktivitet të mbyllur me xhiro deri në 14 milion lekë
– 26 mijë lekë pagë
Të vetëpunësuarit pa rrogë anëtarë të biznesit të familjes
– 26 mijë lekë pagë
Familjet me ndihmë ekonomike
– Dyfishim të pagesës mujore
Përfituesit e pagesës së papunësisë
– Dyfishin e pagesës mujore
NUMRI I PERFITUESVE
60,421 biznese
30, 000 të punësuar pa pagë
70, 000 ndihmë ekonomike
2,700 të papunë