Policia e Shtetit ka bërë një sqarim për qytetarët, të cilët gjatë 24 orëve të fundit kanë telefonuar numrin unik 112 duke bllokuar linjën,
Me anë të një njoftimi, Policia sqaron se thirrjet duhet të racionohen për t’u lënë mundësinë të marrin shërbim atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë.
“112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh, por për marrje denoncimesh apo shqetësimesh. Kjo merr një tjetër rëndësi specifike në këto momente. Kufizimi dhe ndalimi i qarkullimit është një sakrificë që i ndihmon parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe kapërcimit sa më lehtë e shpejtë të kësaj situate,”-shkruhet në njoftimin e Policisë.
Njoftim i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit në 24 orët e fundit ka pritur një fluks të pazakontë telefonatash në numrin unik 112, duke iu ofruar ndihmë mijëra qytetarëve. Në shumë momente kohore, sidomos sot, ka patur raportime për pamundësi të arritjes së numrit unik 112.
Duke kërkuar mirëkuptimin e çdo qytetari dhe ndihmën e tij, apelojmë të racionohen thirrjet telefonike drejt 112, duke u lënë mundësinë të marrin shërbim atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë. Kjo nuk është koha që për çdo pyetje informuese të telefonohet 112, të tilla si pamundësia e lëvizjes me mjet, me këmbë etj.
112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh, por për marrje denoncimesh apo shqetësimesh. Kjo merr një tjetër rëndësi specifike në këto momente. Kufizimi dhe ndalimi i qarkullimit është një sakrificë që i ndihmon parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe kapërcimit sa më lehtë e shpejtë të kësaj situate.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 33 të prekur. Një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit dhe vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Mes të infektuarve është dhe një mjek, i cili i kishte shërbyer të moshuarës që ndërroi jetë në Durrës. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.