Në fjalimin e mbajtur gjatë dekorimit nga Presidenti Ilir Meta, zyrtari gjerman Hans- Joachim Falenski nuk i ka kursyer kritikat për mungesën e funksionimit të institucioneve dhe problemet me lirinë e mediave dhe standardet ligjore në Shqipëri. Gjatë takimit ai është shprehur se nuk duhet të luhet me integritetin e Gjykatës Kushtetuese.
Dokumenti ku është deklarata e zyrtarit gjerman përkthyer në shqip mban logon e CDU-CSU dhe është shpërndarë nga presidenca në rrugë jo zyrtare, ku referuar po të njëjtave burime thonë se takimin do e bëjnë publik nesër. “Kjo është ideja dhe bindja politike pas 9 kushteve të Bundestag-ut. Ne shpresojmë që tashmë gjërat të jenë në rrugën e përmirësimit të situatës. Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare. E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun. Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm. Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me papërjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm”, tha ai.
Falenski duke u ndalur tek reforma zgjedhore ka theksuar se ligji i ri i reformës zgjedhore duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e ODHIR. “Ne e mirëpresim shumë faktin që procesi i hartimit tashmë të të zhvillohet në dialog të hapur dhe gjithpërfshirës nga të gjitha palët. Ne shpresojmë që kjo të jetë një shenjë e mirë që për të gjitha palët e ardhmja e vendit të jetë përparësi kryesore. Në fund është e rëndësishme që të kemi vullnetin politik të të gjitha palëve për të gjetur një marrëveshje. Siç shprehet ODHIR., vullneti politik është çelësi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, tha Falenski.
Pasi i ka shprehur mbështetje për integrimin e Shqipërisë kryekëshilltari për politikën e jashtme në CDU-CSU Falenksi ka kërkuar plotësim të 9 kushteve të vendosura nga bundestagu gjerman.