Nga Flogert Muça
Ajo që ndodh në Tiranë kundër çeljes së negociatave Shqipëri-BE, është jo vetëm e paprecedentë, por kriminale ndaj interesave të vendit.
Është kthyer tanimë në rutinë fakti që sa herë hyjmë në muajin kur vendet e BE shqyrtojnë çeljen e negociatave me vendin tonë, opozita në Tiranë krijon menjëherë një krizë artificiale, duke e iu dhënë argument skeptikëve për t’i thënë ‘JO’ vendit tonë edhe pse arsyet janë të tyret brenda për brenda. Nëse kjo do të kishtë ndodhur një herë, do të thonim se ishte rastësi, por kur ndodh tre herë rresht, kuptohet qartë se është strategji e mirëmebnduar. Nga 2017 e deri sot, opozita dhe Ilir Meta, sa herë ka ardhur muaji i negociatave ka vepruar për ta nxirë vendin. Kjo nuk është klishe, por fakt.
T’i marrim me radhë rastet për të kuptuar qartë strategjinë kundër çeljes së negociatave.
Ishte shkurti i 2017, kur opozita e Lulzim Bashës me mbështetjen absolute të LSI-së së Ilir Metës që ishte asokohe ende de jure në qeveri, ngriti çadrën në Bulevard. Kriza nisi, Basha kishte siguri nga Meta dhe vazhdonte pengimin e ligjit të Vettingut, sponsorizimin e lajmeve të zeza ndaj Shqipërisë dhe deklaratat mbtytëse kundër vendit, duke e vizatuar atë si një dele të zezë që BE duhet ta mbajë larg.
Rasti i dytë ishte ai i vitit 2019, ku para vendimit për negociatat opozita nisi luftën kundër. Ishte autentik me atë të 2017-ës për nga qëllimi, veçse ishte shumë më intensiv. Opozita la mandatet dhe nisi një valë protestash të dhunshme, ku nuk u kursyen djegiet e institucioneve. Por shteti nuk vriste si në 21 janarinn e 2011 kur Berisha-Meta-Basha ishin në pushtet. Imazhi i vendit tonë u bë copë edhe njëherë nga flakët që përpinin institucionet dhe propagandën e shfrenuar të opozitës në mediat dhe institucionet e huaja, kundër vendit.
Rasti i tretë është ai i djeshmi i shpallur nga Ilir Meta. Fiks në ditët më të mira të Shqipërisë ku u mblodhën 1,15 miliardë dollar për rindërtimin e ku vendet e BE duket sikur po bien dakord mes tyre për zgjerimin (pas ndryshimit të kursit nga Macron), Ilir Meta paralajmëron një protestë dhe destabilitet. Qëllimi është i njëjtë me atë të 2017-ës dhe 2019-ës, duke i shtuar edhe faktin se mund të bllokohet edhe disbursimi i donacioneve të mbledhura, me shpresën se do pengohet rindërtimi e qytetarët do mbeten pa shtëpi.
Në të treja rastet, sa herë afrohet data e negociatave opozita (të njëjtët njerëz në çdo rast), krijojnë kriza artificiale. Thënë këtë, nuk mund të nxjerr asnjë përfundim tjetër veç se kjo opozitë, këtë radhë me Ilir Metën në krye, në çdo rast punon kundër integrimit të vendit. E kjo nuk është e paprecedentë, por kriminale për të ardhmen e vendit.