“Edi Rama dhe ushtari i tij në Minsitrinë e Brendshme, Sandër Lleshaj kanë standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit. Ata urdhërojnë shfaqje propagandistike me bllokimin e automjeteve të blinduara, të pajisur me leje të lëshuara nga vetë policia, por nuk bllokojnë makinën e blinduar të Olsi Ramës”.
Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili kishte munguar për një kohë të gjatë sa i përket daljeve publike.
Ai thotë se Partia Demokratike solli fakte se mjeti i blinduar me të cilin Edi Rama lëviz në shkelje të rregullave, i përket Olsi Ramës dhe se megjithatë i ashtuquajturi Operacion i Forcës së Ligjit dhe Policia e Shtetit vazhdojnë të heshtin, duke mos dhënë asnjë shpjegim pse Olsi Rama është i paprekshëm dhe mbi ligjin.
Salianji shtoi se Partia Demokratike disponon të dhëna të plota se Policia e Shtetit është e udhëzuar të mos ndalojë në asnjë rrethanë automjetin e blinduar Linkoln me targën TR 0370 T.
Sipas tij, makina e blinduar e Olsi Ramës lëviz si të kishte imunitet diplomatik, njësoj siç lëvizte makina private e Saimir Tahirit, audi AA 003 GB, që siç tha ai, përdorej nga trafikantët e drogës së bandës së Habiljave.
Në këtë drejtim shtoi se, “Edi Rama dhe Sandër Lleshaj duhet t’u thonë shqiptarëve pse nuk vepron ligji për vëllanë e kryeminsitrit. Jo vetëm për automjetin e tij të blinduar, por edhe për pasurinë e bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij të dënuar për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë”.
A/r