Dy nga shtatë efektivët e policisë që u pezulluan për shpërdorim të detyrës janë rikthyer në punë me vendim të Gjykatës.
Bëhet fjalë për Muharrem Celamin dhe Kadri Dacin, të dy specialistë për Rendin, që u pezulluan nga detyra 4 ditë me parë me kërkesë të prokurorisë së Krujës. Sot gjykata vendosi rikthimin në punë të dy policëve ndërsa la në fuqi kërkesën e prokurorisë për 5 të tjerët të cilët u pezulluan me vendim gjykate, të cilët janë:
– Xhevair Babasi punonjës i Patrullës së Përgjithshme; – Sabri Danaj ndihmës/specialist për Rendin; – Nuri Sefa ndihmës/specialist për Rendin; – Dervish Sana ndihmës/specialist për Rendin; – Fatmir Beqaj punonjës i Patrullës së Përgjithshme.
Më 7 shkurt, Operacioni i koduar “Abuzuesit e detyrës 2”, pezulloi nga detyra shtatë punonjës policie, të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi fshehën krime të ndryshme, mes tyre edhe kultivim i lëndëve narkotike.
Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike.
/a.r