Një 46-vjeçare nga Fieri ka rrëfyer historinë e dhimbshme që ka përjetuar për shkak të dy martesave, nga të cilat solli në jetë dy fëmijë.
Liliana Dule ra pre e trafikimit të qenieve njerëzore në martesën e dytë, ku bashkëshorti e trafikonte në shtetin italian pa dëshirën e saj. Nuk ishte martesë me dashuri dhe ai kishte një dhomë ku luante bixhoz.
Më pas, ai e nis të vetme drejt Italisë dhe i thotë se do shkosh për të punuar kameriere. Por, vajza përballet me një realitet të frikshëm, e detyrojnë të punojë në rrugë me dhunë. U kthye pasi kontaktoi me një person dhe i tha ta çonte në polici pasi do kthehej për të marrë vajzën.
“Qëndrova 3 muaj. Sa fillova të kuptoja italisht takova njërin dhe i thashë “më ço në polici”. Ai më tha: jo s’do ikësh në polici, do të çoj në shtëpinë time”, unë kundërshtova. Më pas ai më mori, më çoi në traget, më dha dhe lekë”, tregon Liliana në emisionin “Me zemër të hapur”.
Kur u kthye, mësoi se i shoqi kishte shkuar tek familja në Greqi së bashku me vajzën. Ngjarja ka ndodhur rreth viteve 97-98 dhe motra e Lilianës kishte mësuar që kunati e kishte shitur vajzën në Greqi.
“Shkova në Lushnje dhe kërkova vajzën. Ma kanë vjedhur në Greqi, tha burri. Ti më shite mua dhe fëmijën i thashë. Më thanë: ai i dha gocën një italiani, mori lekët. Pastaj ka shkuar vetë në Greqi. Kur shkova në shtëpi më tha: pse u ktheve? Më lidhi në karrige, me tel më ka rrahur, më ra të fikët, më hodhi ujë, pastaj më zgjidhi. I thashë nga frika do iki prapë. Pastaj e denoncova në polici.
Ai u dënua shumë pak dhe s’di pse, vajza e donte atë më shumë se unë, s’di pse e bëri kështu. Familja ime ma ka afruar, vetëm se s’kishim lekë, ishim shumë hollë”, tregoi Liliana.