Rendi socialist po jepte shpirt. Hyrja e shqiptarëve nëpër ambasada, eksodet masive drejt Italisë dhe më pas Lëvizja studentore, i dhanë shtysën e fundit.
Në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha tregon për këto momente. Po ashtu, ajo tregon edhe për takimin e Ramiz Alisë me intelektualët, mes të cilëve ishte edhe Ismail Kadare e Sali Berisha.
Nexhmije Hoxha tregon për debatin mes tyre për çështjen e pluralizmit të mendimit dhe të atij politik, qëndrimin e shkrimtarit dhe atë të mjekut e pedagogut Berisha.
Sipas së vesë së diktatorit, Ramiz Alia që kishte shpresuar te mbështetja e intelektualëve, u zhgënjye shumë nga ky takim dhe iu desh të vazhdonte vetë drejt ndryshimeve që do të pasonin sistemin politik në Shqipëri.
Në 2 korrik 1990, mjaft të rinj, punëtorë e të papunë, studentë etj., mësynë dhe u futën në disa ambasada të huaja në Tiranë, si në atë të Gjermanisë, Italisë etj. Nuk u bë e qartë nëse ky veprim u bë me nxitjen e vetë ambasadave. Është folur edhe sikur kjo dyndje masive qe organizuar nga Partia e Punës. Unë mendoj se një iniciativë e tillë nuk u leverdiste Partisë dhe shtetit shqiptar.
Por më ka bërë përshtypje fakti që në një nga ato mbledhjet e KQ, ku, siç kanë thënë, idetë a mendimet hidheshin të shkëputura, “pa kokë e pa bisht”, sikur ishim mbledhur për “muhabet”, Hekuran Isai hodhi mendimin e tij:
“Punë e madhe se ikin një mijë vagabondë në Greqi…”. Hyrja e të rinjve në ambasada nëpërmjet mureve e kangjellave, bëri në Tiranë bujë të madhe, që u përhap në gjithë vendin dhe u amplifikua shumë nga media e huaj. Shqetësimi i familjeve qe në kulm, si i atyre, fëmijët e të cilave kishin hyrë brenda ambasadave, po edhe të atyre që kishin frikë se fëmijët e tyre do të ndiqnin shembullin e shokëve. Motivi i këtyre të rinjve nuk qe aq ana ekonomike, sesa joshja për një jetë të re, që ata e shikonin ne televizionin italian, pa e ditur se ç’i priste, pa menduar se “se jo çdo gjë që ndrit, është flori”.
Kundër kësaj ngjarjeje të dëmshme për të ardhmen e vendit dhe që prishte imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, Komiteti i Partisë i Tiranës organizoi një miting, që, çuditërisht, mbushi Sheshin “Skënderbej”.
Por Komiteti i Partisë për Tiranën dhe Sekretari i Parë i saj, Xhelil Gjoni, bënë dy gabime: e para, kërcënuan me përjashtim nga Partia ata komunistë, fëmijët e të cilëve iknin e futeshin në ambasada dhe, e dyta, Xhelil Gjoni, në fjalën e tij, në miting, në vend që t’u bënte thirrje të rinjve të mos linin atdheun, i qortoi rëndë ata, duke i quajtur “tradhtarë”, duke i cilësuar huliganë etj. Ajo bujë e rrëmujë e azilkërkuesve në ambasada vazhdoi deri më 8 korrik. Gjendja e tyre u rëndua shumë nga mungesa e ushqimeve, e kushte higjienike etj.
Ambasadat e huaja po u kërkonin vendeve të tyre çadra dhe ushqime. Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, iu drejtua OKB-së për ndihmë në përballimin e kësaj gjendjeje. Bashkë me të dërguarin e OKB-së, ai e menaxhoi disi mirë situatën dhe u premtoi azilkërkuesve se nuk do të dënoheshin dhe se do t’u njihej e drejta të shkonin jashtë me pasaportë të rregullt dhe me dokumentet përkatëse. Por azilkërkuesit nuk patën durim dhe besim.
Ata zbrazën me vrap ambasadat dhe morën rrugën drejt Portit të Durrësit, ku ndodhi pamja e dhimbshme dhe e paparë, kacavjerrka e të rinjve në të vetmen anije që ishte në kalatë, pamje kjo që ka mbetur e fiksuar në celuloid dhe në kujtesën e vetë atyre të rinjve, të familjeve të tyre dhe të të gjithë Shqiptarëve. Nuk ishte aspak normale që të rinjtë që mësynë ambasadat u etiketuan me ato fjalë që përmenda, pasi ata ishin djem nënash dhe iknin për një jetë më të mirë.
Prandaj, kur më ra rasti, fola për këtë situatë dhe për djemtë tanë edhe para italianëve. Në nëntor të vitit 1998, isha e ftuar në një seminar të organizatës “Antonio Gramshi”, në Teramo të Italisë dhe, në ligjëratën time, fola edhe për emigrantët tanë, që kishin vajtur në Itali në vitet 1990-1991.
Pasi falënderova italianët për mirëpritjen dhe mirëkuptimin që treguan ndaj refugjatëve shqiptarë, u thashë se “largimi i tyre nga atdheu ka qenë një akt i dhimbshëm, por lutem…” (këtu ngeca për ndonjë sekondë, pasi më kapi një ngashërim. Sa e kapërceva atë, vazhdova):
“..Ju lutem, falini ata për ndonjë prapësi dhe ndihmojini këta të rinj në shpresën dhe në hovin që janë për të gjetur botën e tyre të re”.
Tashmë dihet që, përgjithësisht, emigrantët shqiptarë kanë gjetur këtë, si në Itali, në Greqi dhe kudo ku kanë përfunduar, në Europë, SHBA, Kanada etj. Ata punojnë pa u lodhur, me ndershmëri, kanë krijuar familje dhe po nderojnë veten dhe Shqipërinë. Më 12 gusht 1990, Ramiz Alia bëri takimin me intelektualët.
Si Sekretar i parë i Partisë, por edhe si kryetar i shtetit, Ramizit i përkiste të hartonte strategjinë e ndryshimeve, që patjetër do të preknin parimet themelore të Partisë së Punës dhe të Kushtetutës së shtetit socialist. Duke e ndier se për këtë hap, ai ishte i vetëm në udhëheqjen e lartë të Partisë, atij i duheshin mbështetës. Për këtë qëllim, Ramizi iu drejtua intelektualëve më të njohur të vendit. Thirri në Pallatin e Kongreseve, 50-60 veta, ndër ta edhe anëtarë të Partisë së Punës dhe simpatizantë të saj.
Që në fillim të takimit, R. Alia u tha se i kishte thirrur për një bashkëbisedim të lirë dhe iu drejtua me fjalët: “Do të filloni ju apo unë?”. Meqë askush s’po e merrte fjalën, siç ndodh zakonisht në të tilla raste, fjalën e mori vetë Ramizi.
Ai bëri një panoramë të atyre masave e qëndrimeve që ishin marrë deri atëherë, duke përfunduar me problemet që dilnin përpara, për të cilat kërkoi mendimin e tyre, si intelektualë…
Ndër të tjera, Ramizi u kërkoi: “Ja, cili është mendimi juaj për pluralizmin politik partiak”? Por asnjëri nuk po ndihej. U desh përsëri ndërhyrja dhe insistimi i tij, që ndonjë nga këta intelektualë me emër të merrte fjalën për këtë temë të nxehtë, gati tabu, në të kaluarën.
Siç del nga procesverbali i mbledhjes, fjala ishte për çështjen: “Do të qëndrojmë vetëm te pluralizmi i mendimit apo do të kalojmë në pluralizmin politik e partiak”…
U ngrit Luan Omari, jurist, ekspert konstitucionalit, ishkryetar i komisionit që punoi për Kushtetutën e Shtetit Socialist, dhe në fjalën e tij, midis të tjerash, theksoi: “Unë mendoj se sistemi i një partie u p[përgjigjet më mirë kushteve të vendit tonë dhe për arsye se te ne, Partia ka një prestigj shumë të madh, është e lidhur me popullin në mënyrë shumë më të madhe, edhe për shkakun tjetër që te ne nuk ka një traditë politike shumëpartish, nuk ka një opozitë…”.
Ai foli dhe për rrugë të tjera të demokratizimit brendapërbrenda nesh, siç janë marrëdhëniet e Partisë me Frontin Demokratik, me organizatat e tjera të masave etj.
“Po, po”, tha Ramiz Alia, si pak i interesuar për sa shtoi Luan Omari, se ato ishin të njëjta me kriteret që kishte ndjekur ai vetë, duke pasur edhe mbështetjen e Byrosë Politike dhe të anëtarëve të KQ. Por, në fakt, Ramizi ishte i shqetësuar dhe i interesuar të dinte mendimin e intelektualëve që kishte thirrur në takim për mundësitë e kalimit në pluralizmin politik dhe, konkretisht, në pluralizmin partiak, prandaj kërkoi nga të tjerët të merrnin fjalën.
U ngrit Sali Berisha, i cili tha: “Unë e konsideroj të domosdoshëm pluralizmin e mendimit”. Ramizi i kërkoi të jetë më i saktë: “Për pluralizmin e mendimit apo atë partiak?”.
Berisha iu përgjigj: “Jo për pluralizmin partiak”. Kur Ramizi e ngacmoi përsëri, duke i kujtuar se ishte malësor dhe “duhet t’i thoshte gjërat copë”, Berisha tha: “Unë jam i bindur se, në stadin aktual, ky popull nuk është përgatitur, edhe po t’ia japësh”.
Pas këtij e mori fjalën Ismail Kadareja. “…inteligjencia shqiptare, pa asnjë diskutim, është për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe për këtë shtet, që ekziston dhe është stabilitetin e tij, që të vazhdojë gjithmonë.
Megjithatë, duhet pranuar se ka njerëz në Shqipëri që mendojnë të kundërtën e kësaj. Mendojnë kështu nga padija… ose nga dashakeqësia e lindur…”,
Mes Ismail Kadaresë dhe Ramiz Alisë u hap një debat, ku shkrimtari shtroi si pyetje dhe vërejtje: “Me këtë pluralizmin, që shtruat ju, unë nuk e kam të qartë nga ana juridike, statusin e pluralizmit… ose, më mirë, ç’kuptojmë me këtë fjalë ne?”.
R. Alia iu përgjigj: “E di ti, e di…” dhe, me ironi, në mënyrë të thjeshtëzuar, i shpjegoi se ç’kuptim ka fjala pluralizëm.
Sipas mendimit tim, duket qartë se as Berisha dhe as Ismail Kadareja nuk ishin të sinqertë në ato që thanë. Jo se nuk ishin për pluralizmin e vërtetë e të plotë, me shumë parti (dhe jo për pluralizmin gjysmak, si te ne, që e theksonte Kadareja), por sepse ata nuk kishin guxim dhe nuk donin të dilnin si iniciatorë të parë për këtë kthesë të madhe, që do ta bënte Shqipërinë si vendet perëndimore demokratike dhe, së fundi, si vendet ish-socialiste të Europës Qendrore e Lindore.
Procesverbali i stenografuar i takimit nuk bën fjalë për diskutantë të tjerë, ndonëse aty qenë edhe intelektualë të shquar dhe akademikë, si Dhimitër Shuteriqi, Ylli Popa etj. Ramiz Alia kishte shumë shpresë në mbështetjen e intelektualëve të vendit, por këta, jo vetëm në atë takim, por edhe më parë, edhe pas vitit 1990, nuk kanë qenë në pararojë në momente të caktuara politike, në kthesat e mëdha revolucionare përparimtare.
Prandaj ai doli shumë i zhgënjyer nga ky takim. Kështu, atij iu desh të vazhdojë përsëri i vetëm në përpunimin e strategjisë, në planin politik, ekonomik e shoqëror, për muajt e ardhshëm e deri në fund të vitit 1990.
NGJARJET NË QYTETIN STUDENTI
Me fillimin e vitit akademik 1990-1991, në Universitet pati disa zhvillime të reja. Studentët ngritën me insistim dhe me forcë disa kërkesa ekonomike, dhe, më pas, shtuan kërkesa politike, si lidhur me pluralizmin etj. Leksionet kishin filluar sipas programeve, por me kalimin e ditëve, nisën problemet, studentët linin leksionet dhe mblidheshin jashtë auditorëve, në shesh.
Vajza ime, Pranvera, që jepte leksione të arkitekturës, shkonte rregullisht në mësim, por një ditë tetori, njëri nga kolegët i thotë: “Mund të mos vish nesër, se studentët duan të lënë mësimet”.
Fillimisht ishte vetëm një grup i vogël studentësh, që kishte marrë përsipër të protestonte për kushtet e këqija në konvikte, për mungesën e ngrohjes dhe të energjisë elektrike, që ndërpritej herë pas here.
Me këtë të fundit, ata filluan të bëjnë edhe lojëra, duke u kërkuar konviktorëve të shuanin dritat njëkohësisht, në shenjë solidariteti, herë pas here. Kërkesat e tyre të karakterit ekonomik qenë konkrete, të natyrshme, për përmirësimin e jetës së studentëve, kryesisht atyre konviktorë, duke shtuar edhe kërkesat për cilësinë e ushqimit.
Ata filluan t’i shkruajnë letra Ramiz Alisë dhe Qeverisë, ku vazhdonin të kërkonin kushte më të mira, energjinë elektrike etj., por nga ana tjetër, në errësirën që e provokonin edhe vetë, ata nisën të hedhin edhe parulla me përmbajtje politike, si “Liri, demokraci” etj. Kjo ishte një shenjë e dukshme se lëvizja studentore po kalonte në kërkesa politike. Sigurisht, kjo erdhi jo pa ndikimin nga forca politike të caktuara të fuqive perëndimore, siç ndodhi edhe në hyrjen e azilkërkuesve në ambasadat e huaja në Tiranë.
Lidhur me ato që po ndodhnin në atë kohë në Qytetin Studenti, unë nuk isha vënë në dijeni në rrugë zyrtare, por mësova vetëm nga çfarë thuhej publikisht, nga ato që lexoja në shtyp, por edhe ç’më informonin shokët e punës që herë pas here shkonin në Qytetin Studenti, të ngarkuar nga Aparati i KQ.
Ramiz Alia ngarkoi disa nga bashkëpunëtorët kryesorë të tij që të mbanin kontakt me studentët protestues. Pranë tyre kanë shkuar Skënder Gjinushi, në atë kohë Ministër i Arsimit; Xhelil Gjoni, Sekretar i Parë i KP për Tiranën; Lisen Bashkurti, Sekretar i Parë i Bashkimit të Rinisë të Punës së Shqipërisë etj. Përveç këtyre, edhe nga aparati i KQ dërgoheshin disa nga punonjësit e tij, për të marrë kontakt me anëtarë partie, si pedagogë, studentë etj., dhe për t’u informuar se ç’po ngjiste në Qytetin Studenti.
Kurse nga ana e qeverisë, në kontakt me studentët ishte, kryesisht Kryeministri, Adil Çarçani, që interesohej drejtpërdrejt lidhur me kushtet që kërkonin ata në letrat që i dërgonin. Hekuran Isai, si ministër i Brendshëm ndiqte me varësit e tij zhvillimet në universitet, nga jashtë Qytetit Studenti, që të siguronte ruajtjen e rendit nga veprime të dhunshme.
Në një nga ato ditë, ndërsa studentët ndodheshin në mësim, Kryeministri Adil Çarçani, bashkë me Skënder Gjinushin, shkuan për të parë punën për meremetimet dhe rikonstruksionet e konvikteve, që kishin nisur sipas kërkesave të studentëve. Kaq u desh si “sebep”, që studentët të lënë mësimet.
Grupi i protestuesve doli në “Sheshin Demokracia”, siç u quajt më vonë, dhe u bëri thirrje edhe studentëve të tjerë që t’u bashkoheshin, duke kënduar këngën e njohur “Eja mblidhuni këtu, këtu!”, që ishte kënduar dikur, në demonstratat antifashiste të rinisë shkollore në Tiranë, në prag dhe gjatë pushtimit fashist italian.
Mbaj mend që, në këtë kohë, Ramiz Alia thirri në shtëpinë e vet tropojanin Sali Brisha, anëtar i Partisë së Punës, mjek i njohur dhe pedagog, meqë në krye të studentëve protestues ishte një tjetër tropojan, Azem Hajdari.
Ramizi i foli shkurt për gjendjen në universitet dhe i tha: takohu me të dhe mundohu të qetësosh protestuesit.
Saliu, i shoqëruar nga Besnik Mustafaj, edhe ky nga Tropoja, me të cilin kishte folur më parë, shkuan dhe takuan Azemin. Ky e priti me entuziazëm njohjen e parë me Sali Berishën dhe pastaj të tre shkuan e u mbyllën në një nga bodrumet e ambienteve universitare, për të biseduar./ Panorama
/a.r