Një reper amerikan është dënuar me 99 vite burg pasi porositi një vrasës me pagesë që të vriste nënën e tij. Qaw’mane Wilson ose i njohur “Young QC” u shpall fajtor vitin e kaluar, por dënimi ndaj tij u dha këtë të premte. E ëma e tij, Yolanda Holmes, u qëllua me armë dhe pastaj u godit me thikë nga Eugene Spencer, i cili ishte porositur nga reperi për vrasjen.
Wilson ishte djali i vetëm i gruas. Vrasjen ai e kreu për shkak se donte të kishte akses në llogarinë e saj bankare dhe paratë e sigurimit të jetës. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2012. Këto para, i riu i shpenzoi për video muzikore, ndërsa me mijëra të tjera ua shpërndante fansave të tij. Në një gjyq të gjatë, gjykata dëgjoi se si vrasësi me pagesë kishte shkuar në apartamentin e nënës së reperit.
Ai e qëlloi Holmes ndërkohë që flinte. Më pas la pandjenja të dashurin e saj. Por reperi e kishte marrë në telefon ku i kishte thënë që të sigurohej që ajo kishte vdekur. Më pas vrasësi është kthyer dhe për siguri e ka goditur disa herë me thikë. Vrasësi me pagesë u dënua me 100 vjet burg për ngjarjen.