Nga Skënder Minxhozi/
Nëse do të hedhësh në erë një plan, një projekt sekret, një negociatë delikate – bëje publike para kohe atë! Ka një arsye që palët e një bisedimi të mbyllur e konfidencial, i mbajnë të fshehta qëllimet finale, objektivat parësore – që të mos digjen rrugës, para se të arrihet në destinacion. Megjithatë kryetari i PD nuk e ka këtë shqetësim. Me një dalje të habitshme orët e fundit, ai ka bërë publik faktin se ka rënë dakord me palën tjetër, pra me socialistët, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas konkludimit të reformës zgjedhore. Megjithëse Basha është kujdesur të flasë për “zgjedhje të lira”, të gjithë e kanë lexuar deklaratën e tij si një lajmërim publik paraprak i një kompromisi PS-PD për zgjedhje të parakohshme. Pra, para verës së vitit 2021!
I pritshëm dhe i kuptueshëm ka qenë reagimi i qeverisë, që e ka hedhur poshtë pretendimin e Bashës. Sepse edhe nëse kjo marrëveshje do të ishte e vërtetë, çfarë kuptimi do të kishte të bëhej publike gjashtë apo më tepër muaj nga data e mundshme e zgjedhjeve të parakohshme?!
Lulzim Basha ka qenë një ndër politikanët që i kanë dashur sa më larg zgjedhjet. Është historikisht e njohur se lideri aktual i PD nuk është një “kafshë elektorale”. Është gjithashtu e njohur sesi ai u ul me Edi Ramën në maj të vitit 2017 dhe e çoi partinë me duart e veta drejt humbjes më të thellë politike që mbahet mend. Kurrë një parti nuk i kishte fituar e vetme zgjedhjet, që nga viti 1991. PS dhe Rama mundën ta vendosin këtë rekord, edhe me “ndihmën” e Bashës, që i bëri të gjitha kalkulimet e mundshme gabim, në atë moment delikat për opozitën shqiptare.
Basha dhe të tjerët rreth tij nuk kanë dashur zgjedhje të parakohshme as vitin e shkuar, teksa sulmonin me gurë e bomba Molotov kryeministrinë. Tingëllon absurde sesi një grupim partish politike që ushtrojnë atë nivel dhune mbi shtetin, të mos kenë si qëllim fundor vajtjen në zgjedhje të parakohshme, por krijimin e një qeverie tranzitore. Justifikimi i këtij qëndrimi, me nevojën për ndryshime në procesin zgjedhor, ishte vetëm gjethja e fikut e rradhës.
Sot Basha ka ndryshuar taktikë. Por nuk është e thënë të ketë ndryshuar edhe qëllimin final për ta shtyrë edhe pak ballafaqimin me kutitë e votimit. Mund të jetë duke e hedhur në erë korsinë e zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, duke e njoftuar si punë të kryer qysh në janar! Sepse nuk ka asnjë shpjegim që të njoftosh zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që tavolina e reformës zgjedhore nuk ka prodhuar ende asnjë format definitiv për sistemin zgjedhor, për ndryshimet në kod etjetj.
Të njoftosh zgjedhjet, pa votuar ende reformën elektorale, është njëlloj si të njoftosh ditën e dasmës, pa gjetur nusen.
Nuk ka asnjë dramë nëse Shqipëria do të mbante zgjedhje të parakohshme në vitin ku jemi futur. Nga pozita të kundërta, të dyja palët kanë nevojë, në këtë pikë të proceseve politike, për një akt legjitimiteti, për një rikthim tek gara. Boshatisja e parlamentit dhe kalimi në një krah të vetëm i pushtetit lokal, janë faktorë madhorë të një reflektimi serioz mbi nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve. Larg detyrimit të shashkave dhe molotovit, larg bojkotit të proceseve zgjedhore.
Por ka një element që do t’i bënte zgjedhjet gjatë këtij viti, një veprim me risk të lartë. Shqipëria mban presidencën e OSBE. Imagjinoni për një moment që palët humbëse, kushdo qofshin, në vijimin e traditës më negative shumëvjeçare të partive shqiptare, të dalin e të nxjerrin pretendime për manipulime e vjedhje votash. Dhe t’i përplasnin akuzat e tyre në dyert e OSBE. Do t’i binte që në një anë të ishim liderët e organizatës, e në anën tjetër edhe qaramanët e saj! Do të prodhonim një imazh banal dhe qesharak që do të mbahej mend për shumë vjet në Vjenë dhe Varshavë.
Gjithsesi duket se zoti Basha po “kujdeset” që të na e largojë edhe këtë siklet, me deklaratat e tij triumfaliste për zgjedhje të parakohshme që në janar.
Aq bukur e ke thene…Te lumte pena(si gjithnje, z.Minxhozi)!