Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se me paketën Anti KÇK ndryshon ligji anti-mafie, ligji i Policisë së Shtetit, administrimi i pasurive të sekuestruara, Kodi Penal si dhe statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Subjekt të Anti-KÇK-së tha ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, janë të gjithë ata që i kanë transferuar pasuritë tek palë të treta. Ajo paralajmëroi se këto transaksione do të anulohen, dhe do të konsiderohen të pavlefshme.
“Akti thelbësor i paketës Anti KCK, është akt normativ që hyn në fuqi menjeherë dhe ka të bëjë me pasurinë e të dënuarve për krim të organizuar, pjesëmarrje në grupe kriminale, terroriste, trafiqe dhe krime të tjera të rënda. Dhe të gjithë ata që ndonëse të akuzuar për kryerje të krimeve të rënda, për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë nuk u dënuan dhe sot lëvizin të lirë. Të gjithë këta të dënuar apo akuzuar, do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike të tyre apo familjarëve burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm”- tha ajo.
Sipas ministres, barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar pasurinë. “Nderkohë që të gjithë ata që për të fshehur pasuritë i kanë transferuar ato në emër të palëve të treta, këto transaksione në bazë të anti KCK do të anulohen dhe konsiderohen të pavlefshme. Ata që kanë menduar se do të shpëtonin pasuritë ne këtë menyrë do të justifikojnë cdo qindarkë”- tha ajo.
Një paralajmërim e ka dhënë edhe për gjyatërt dhe prokurorët që shkelin ligjin, që janë gjithashtu pjesë e kësaj pakete.
“Gjyqtarë e prokurorë që sfidojnë shtetin e ligjin, si rasti më i fundit në gjykatën e Krujës, janë gjithashtu pjese. Për të gjithë këta që abuzojnë për interesa personale, me këtë paketë, institucionet e reja të drejtësisë do të kenë mekanizma efikase për të ndëshkuar cdo gjyqtar e prokuror që merr guximin të shkelë ligjin”.
g.kosovari