Nga Denisa Pasholli
Çeçenia, republika e vogël me shumicë myslimane në Kaukazin Verior të Rusisë, përgjatë dy dekadave të shkuara ka qenë skenë e 2 konflikteve të përgjakshme, mes rebelëve separatistë dhe qeverisë ruse. Sot quhet si “Lufta e harruar”, por veç e harruar nuk mund të jetë.
Populli i vogël, me më pak se 1,5 milionë banorë, është lënë në mëshirë të fatit. Emancipimi, përparimi edhe ekonomik përveçse social-kulturor, është i pamundur. Jetesa në Çeçeni ka mbetur në vend-numëro. Për ata banorë, duket se vitet kanë mbetur në vend.
Lufta e Parë Çeçene, njohur edhe si fushata e parë çeçene apo si lufta e parë Çeçeni-Rusi, ishte një rebelim i Republikës Çeçene të Içkerisë kundër Federatës Ruse, që nisi në dhjetor të vitit 1994 dhe përfundoi në gusht të vitit 1996. Konflikti nisi fillimisht për kufijtë territorialë.
Pasojat e Luftës së parë ishin të frikshme. Shifrat zyrtare flasin për 5732 ushtarë rusë të vrarë, edhe pse numri i viktimave, sipas historianëve, besohet të jetë rreth 14 mijë. Ndërsa në radhët e forcave çeçene, dyshohet të jenë vrarë deri në 17 400 vetë, mes tyre më shumë se gjysma ende rezultojnë të zhdukur. 200 mijë vetë mbetën të plagosur gjatë konfliktit që zgjati 1 vit e 8 muaj ndërsa 500 mijë të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre, në qytetet apo fshatrat që u shkatërruan nga luftimet e përgjakshme. Për shkak të dhunës e diskriminimit, ende sot popullsia çeçene, vuan prapambetjen, në çdo fushë të jetës.
Në kohën e Luftës së Parë të përgjakshme mes rebelëve separatist çeçenë dhe forcave ruse, President i Republikës Çeçene ishte Dzhokhar Dudayev, nga viti 1991 deri në vdekjen e tij, në vitin 1996. Dudayev ishte gjeneral i Forcave Ajrore Sovjetike dhe Presidenti I Parë I Republikës Çeçene të Içkerisë. Më 4 dhjetor të 1994, luftëtarët e Dudayev kapën rob 20 ushtarë rusë, që ishin pjesë e grupit që kërkonin të krijonin një stuhi në kryeqytetin Grozny. Një seri delegacionesh me parlamentarë rusë vizituan Groznyn dhe arritën të lirojnë vetëm 6 ushtarakë.
Më herët, më 8 shtator të po atij viti, lideri i Çeçenisë Dudayev doli përpara mediave, në një konferencë të posaçme, ku theksoi faktin se tashmë priste vetëm përshkallëzim të agresionit ushtarak dhe provokimeve nga ana e Moskës dhe ushtrisë ruse. “Nuk ka një vendim, pra një vendim nëse ushtria jonë do të jetë e përfshirë në një zgjidhje apo jo. Do ta them qartë, nëse ushtria ruse merr pjesë në zgjidhjen e këtij konflikti, kjo nuk do të thotë se ushtria do të luftojë kundër popullit çeçen”, do të shprehej ministri rus i Mbrojtjes, Pavel Grachev.
Dy avionë luftarakë, të paidentifikuar, hapën zjarr në rajonin e ndarë nga Rusia, atë të Çeçenisë më 1 dhjetor, duke vrarë një person e duke plagosur dhjetëra të tjerë. Avionët sulmuan gjithashtu një fushë bujqësore, në dalje të kryeqytetit. Moska mohoi përfshirjen në bombardimet e asaj dite, por një zyrtar në Çeçeni pohoi se avionët ishin rusë.
Brenda 2 javëve, situata mori pamjen e një lufte të përgjakshme me qindra të plagosur e dhjetëra të vrarë, edhe pse ende deri më 14 dhjetor, askush nuk pranonte të fliste për viktima, e aq më pak me akuza direkte.
2 ditë më pas, erdhi reagimi i parë nga perëndimi. Zv.Presidenti amerikan Albert Gore në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin rus të asaj kohe, Boris Yeltsin, tha se konflikti në Çeçeni ishte thjesht një problem i brendshëm.
Qetësia dhe paqja nuk zgjati. 3 ditë më vonë, helikopterët ushtarakë rusë nisën sulmet dhe luftëtarët çeçenë nuk ngurruan të kundër-përgjigjen. Shumë banorë ishin dorëzuar. Kishin braktisur shtëpitë dhe po largoheshin nga ajo që ish kthyer në vatrën e konfliktit ndërsa të tjerë ishin furnizuar me armë dhe ishin gati për të mbrojtur shtëpitë e tyre, edhe me jetë.
Ditët dhe javët kalonin me shkëmbim të vazhdueshëm zjarri ndërsa Grozny po shkatërrohej ditë pas dite, duke humbur dalëngadalë identitetin e tij.
Luftëtarët çeçenë, të drejtuar nga komandanti rebel Shamil Basayev, hynë në Budennovsk, një qytet me rreth 100 mijë banorë, gati 70 km larg kufijve të Çeçenisë në qershor të vitit 1995, duke kapur rob e duke mbajtur peng 2 mijë persona, brenda ndërtesës së një spitali. Me këtë rast, Basayev kërkoi tërheqjen totale të ushtrisë së Moskës nga Çeçenia dhe uljen në negociata mes palëve, me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara. Operacioni përfundoi me humbje, nga të dyja palët, forcat rebele u tërhoqën dhe më pas nisën negociatat. Bisedimet në tryezë siguruan një armë-pushim të përkohshëm, që në fakt u shkel nga të dy palët.
“Korabelinkov, komandanti I ushtrisë ruse, me tha personalisht gjatë një bisede telefonike se gazetarët rusë dhe ata të huaj nuk do të vinë këtu derisa unë të liroj gratë dhe fëmijët. Ishte një ujdi. Më pas ata nisën të na kërcënojnë se po mbajnë peng 2 mijë cecenë dhe se do ti vrasin. Kanë marrë edhe të afërm tanë. Në përgjigje ndaj këtij kërcënimi, ne kemi vrarë 5 pengje”, Shamil Basayev, komandant i forcave rebele.
Më 7 mars 1996, konflikti Rusi-Çeçeni ishte kryefjalë e mbledhjes së këshillit të sigurimit të OKB-së. Komandantët rusë dhe ai I ushtrisë çeçene u takuan në Çeçeni, takim që u finalizua me një shtrëngim duarsh. Situate nuk mund të përshkallëzohej më shumë se kaq. Të vrarët ishin me mijëra, edhe pse shifra nuk kishte. Shefi I sigurisë ruse Alexandër Lebed dhe komandanti i rebelëve Asham Maskhadov nënshkruan marrëveshjen e paqes, që i dha fund luftës mes dy vendeve, asaj të parës.
Çeçenia e drejtuar nga Dzhokhar Dudayev që prej vitit 1991, shijoi pak pavarësi de fakto, në skenën me plot zhvillime politike e lufte, pas rënies së regjimit komunist. Rimëkëmbja pas luftës së përgjakshme 94-96, ishte e vështirë. Moska synonte sërish ta kish të sajën këtë rajon. Por marrëveshja është marrëveshje. Ajo parashikonte tërheqjen e trupave ushtarake nga të dyja palët dhe ruajtjen e statusit republikë të Çeçenisë deri në vitin 2001, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale ruse, periudhë në të cilën Rusia do të drejtohej nga Vladimir Putin. Pas luftës 2-vjeçare, forcat ushtarake ruse u tërhoqën por Putin e riktheu ushtrinë në Çeçeni në vitin 1999, duke shtypur këtë herë lëvizjen për pavarësi e duke vënë në krye të shtetit, një lider, sipas tij besnik, biri i të cilit, Ramazan Dayrov, ende sot drejton vendin me dorë të hekurt. (a2)