Donald Trump dëshiron të frenojë Iranin. A po vepron ai në mënyrën e duhur? Ai mund të ketë frenuar sulmet konvencionale, por e nxiti Iranin që të ndërtojë një bombë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Vrasja e Kasmem Suleimanit, nga një dron amerikan, më 3 janar të 2020, kërcënoi të shkaktonte një luftë të mundshme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, një luftë kjo, e cila është shtyrë që kriza e pengjeve në 1979, shkruan The Economist. Në atë pjesë të botës, që duket se ka mbetur në hije për shumë kohë, vrasja e guximshme e një prej gjeneralëve më të rëndësishëm të Iranit, e urdhëruar nga Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se e ri zgjoi Iranin. Në ceremonitë publike, miliona iranianë lanë mënjanë pakënaqësitë e tyre me regjimin për të respektuar vdekjen e gjeneralit Suleimani.
Kërcënimet për gjakderdhje nga Lindja e Mesme u bënë publike nëpërmjet paralajmërimeve të vrasjeve të ekspertëve perëndimorë. Por edhe pas një sulmi me raketa në dy baza ushtarake amerikane në Iran, nuk u raportua asnjë i vrarë. Kjo u cilësua si një përpjekje nga ana e Iranit për të vënë në vend “nderin e tij” dhe për të sheshuar krizën. Nëse ky do të ishte fundi, z. Trump do të thoshte me të drejtë, siç sugjeroi më 8 janar, se lëvizja e tij funksionoi. Largimi nga kjo botë i një individi si gjenerali Suleimani dhe ta detyrosh Iranin që të frenojë agresionin e tij, do të ishte me të vërtetë një arritje shumë e madhe.
Mund të ndodhë që në muajt e ardhshëm një gjë e tillë të ndodhë me të vërtetë. Por problemi është se askush, përfshirë edhe vetë z. Trump, nuk mund ta besojë plotësisht një gjë të tillë. Dy teste do të përcaktojnë nëse vrasja e gjeneralit ishte një sukses – efekti i saj në frenimin dhe fuqinë rajonale të Iranit. Gjatë vitit të kaluar z. Trump nuk ka kundërvepruar edhe pasi Irani dhe vendet pranë tij sulmuan transportin tregtar në ngushticën e Hormuzit, dy drone amerikane, rafineri nafte në Arabinë Saudite dhe bazat ushtarake në Irak. Për shkak se ai kishte arritur në përfundimin se nuk do të paguhej asnjë çmim për sa kishte ndodhur më sipër, Irani po bëhej gjithnjë e më shumë i guximshëm dhe luftarak.
Një prej efekteve pozitive të vrasjes së 3 janarit, është rivendosja e idesë se Amerika nuk mund të tolerojë në pafundësi dhe se ajo është e gatshme të kundërpërgjigjet. Tërheqja e Iranit të martën e kaluar, tregon se ai nuk dëshiron të përballet me një sulm ajror nga Amerika. Një tjetër sulm me raketa nga Irani ka më pak të ngjarë të ndodhë në ditët e sotme, në krahasim me disa javë më parë.
E megjithatë etja e Iranit për hakmarrje me siguri nuk është zvogëluar. Edhe nëse ata shmangin format e hapura të agresionit, Garda Revolucionare ka të ngjarë të ndjekë taktika të tjera, duke përfshirë sulmet kibernetike, sulme me vetëvrasje nga kamikazët, atentate ndaj zyrtarëve amerikanë dhe një sërë mjetesh, që ata kanë përdorur ndër vite. Por, këtyre metodave hakmarrëse mund t’u duhen muaj që të realizohen.
Ndërsa vrasja e gjeneralit Suleimani po largohet dalëngadalë nga vëmendja, Irani do të fillojë të hetojë gatishmërinë e Amerikës për të përdorur forcën. Në një botë asimetrike, partitë e dobëta shpeshherë tërhiqen përballë partive më të forta, por vetëm për t’u rikthyer më pas. Ata kanë më shumë durim dhe një tolerancë më të madhe ndaj dhimbjes sesa superfuqi e mëdha.
Testi i dytë është nëse taktikat e ndjekura nga Amerika do të dobësojnë kontrollin e Iranit ndaj fqinjëve të saj. Kjo ka të bëjë me projektimin e fuqisë iraniane, pavarësisht mizorive të kryera nga mbështetësit e tij, siç është edhe Bashar al-Asad, lideri suprem i Sirisë. Vdekja e gjeneralit Suleimani e privoi këtë rrjet të zymtë nga arkitekti dhe orkestruesi i saj. Është ende shumë herët për të gjykuar aftësinë e atyre që do të zënë vendin e tij, por nëse gjenerali ishte aq i jashtëzakonshëm saç ishte edhe reputacioni i tij, atëherë është e sigurt se humbja e tij do të ndihet për një kohë të gjatë.
Shteti iranian ka shumë pak para. Për pasojë, iranianët e zakonshëm, kanë kuptuar se është më mirë që këto burime që kanë, edhe pse të pakta, mund të përdoren më mirë për edukim dhe në shëndetësi, sesa për armë. Por edhe këtu ka shumë ndërlikime. Pas vrasjes së fundit, Irani është i vendosur të largojë Amerikën nga Lindja e Mesme. Qeveria në Bagdad mbizotërohet nga politikanët shiitë, që u hodhën drejt Iranit. Më 5 janar parlamenti i Irakut miratoi një rezolutë që i kërkonte qeverisë të fillojë të dëbojë trupat e huaj, përfshirë 5,000 ushtarë amerikanë ose edhe më shumë. Votimi nuk është i detyrueshëm, shumë irakianë e kundërshtojnë ndikimin iranian dhe paratë dhe armët amerikane janë të vlefshme për Irakun.
Më kërcënues nga të gjitha është programi bërthamor i Iranit. Z. Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja me Iranin, e nënshkruar në vitin 2015 së bashku edhe me gjashtë fuqi të tjera botërore. Ai argumentoi se do të jetë në gjendje të negociojë një marrëveshje më të mirë, e cila të mos ketë të bëje fare me veprimtaritë bërthamore të Iranit, një propozim të cilin z. Trump e përsëriti edhe në konferencën e tij për shtyp të javës së kaluar. Verën e kaluar kishte spekulime të shumta nëse Irani do të ishte i gatshëm për të filluar bisedimet. Por tani, pas vrasjes së 3 janarit, një gjë e tillë do të jetë e parealizueshme, të paktën për një kohë të gjatë. Më 5 janar, Irani tha se nuk do t’i përmbahej më asnjë kufizimi në pasurimin me uranium.
Mungesa e një strategjie amerikane për negociata nënkupton se vrasja e gjeneralit e ka çuar politikën e Amerikës në sanksione ekstreme, të shoqëruara nga një kërcënim i paracaktuar për hakmarrje masive, në rast se Irani nuk do të sillet mirë. Megjithatë, uria për ta nënshtruar Iranin, nuk ka gjasa të funksionojë, sepse ka pasur edhe regjime të tjera të cilat i kanë rezistuar edhe për më gjatë presionit amerikan. Duke qenë se linjat e ashpra të Amerikës janë të paqarta, rreziku i përfshirjes në një luftë të mundshme mbetet prezent. Ndërkohë, sanksionet dhe frenimi gradualisht do të bëhen më pak të fuqishme, sepse kështu ndodh pothuajse gjithmonë.
Në vendin e gabuar në kohën e gabuar
Të dy si Barack Obama ashtu edhe dhe z. Trump e kuptuan se trazirat në Lindjen e Mesme konsumojnë burime të shumta amerikane dhe vëmendje, të cilat do të ishte më mirë nëse do të përqendroheshin në Azi. Z. Obama u përpoq të negociojë sipas mënyrës së tij, por nuk ia arriti të jetë i suksesshëm. Z. Trump po përpiqet të veprojë sipas mënyrës së tij, por edhe ai mendohet se do të dështojë, sepse strategjia e tij ndaj regjimit në Teheran varet nga prezenca e Amerikës në Lindjen e Mesme për të kontrolluar Iranin. Fatkeqësisht, vrasja dramatike e gjeneralit Suleimani nuk e ka zgjidhur aspak problemin e Amerikës me Iranin, përkundrazi vetëm sa e ka përkeqësuar atë.