Në një analizë vjetore, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nuk i ka kursyer kritikat për policinë vendore të Shkodrës, drejtuesit e saj dhe disa prej shefave të sektorëve të ndryshëm. Sipas burimeve për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Senad Nikshiqi, drejtori Veliu ka vënë theksin tek rritja e parandalimit të ngjarjeve kriminale dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me Policinë e Shtetit. Sipas drejtorit Veliu çështja e parandalimit që duhet të jetë kryesore ka çaluar gjatë 2019-ës për policinë e Shkodrës.
Pavarësisht se ka dhënë një vlerësim për ngjarjet e rënda kriminale, Veliu u shpreh se ishte i pakënaqur që disa grupe dhe individë të ndryshëm kriminal, pa përmendur emra konkret nuk janë goditur dhe në këtë aspekt duhet që të ketë më shumë efektivitet dhe policia e Shkodrës t’i godasë grupet kriminale apo elementët e rrezikshëm kriminal që janë ende të lirë. Më shumë angazhim dhe profesionalizëm kërkoi edhe nga patrullat e përgjithshme të cilët sipas kreut të policisë së shtetit duhet që të jenë në një nivel pak më të lartë.
Vjedhjet në Shkodër, disa prej të cilave në shuma të konsiderueshme parash apo në disa raste edhe në subjekte afër policisë, kanë qenë një tjetër kritike nga ana e Veliut për strukturat. Ai kërkoi që policia e Shkodrës të ketë një vëmendje të shtuar qoftë në zbulueshmërinë e autorëve të vjedhjeve por edhe në parandalimin e tyre dhe në goditjen e autorëve. Një pjesë tek e cila është ndalur duke kërkuar llogari është ulja e forcës goditëse tek sektori i anti-kontrabandës në policinë e Shkodrës. Fakti që në 2018-ën ka patur më shumë raste që janë goditur nga efektivët se në 2019-ën ka sjellë dyshime tek kreu iPolicisë së Shtetit, i cili u shpreh duke thënë se “përse është kjo situatë dhe ka pyetur se a ka rënë kontrabanda apo efektivët nuk kanë ditur që ta bëjnë punën?”.
Ajo që ka kërkuar ndër të tjera është edhe eliminimi total i fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. Edhe pse ka një rënie, Shkodra vazhdon që të jetë një pikë e kuqe në hartën e rajoneve problematike sa i përket kultivimit të drogës. Drejtori Veliu ka kërkuar që lufta të jetë edhe më e fortë për të zeruar kultivimin e kanabisit kryesisht në zonat malore. Disa shefa policie i kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e përdorimit të telefonave duke thënë se në disa zona të largëta si Vau i Dejës por edhe të tjera radiot nuk kanë valë. Drejtori Veliu ishte i prerë në këtë diskutim duke thënë që në mënyrë absolute askush nuk duhet që ta përdor telefonin por vetëm radion e policisë për çështje pune dhe raportime të ndryshme policore.