Nga Veton Surroi
Elita politike, intelektuale, religjioze serbe dhe e Serbisë po iu rikthehet rrëfimeve të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar
1.
Banjallukë – Çdo mëngjes unë dhe shoqja ime Jelena, e cila jeton në rrugën “Momir Nikoliq” (i dënuar me 20 vjet burg), shkojmë së bashku në shkollën “Bilana Pllavshiq” (11 vjet burg). Unë jetoj në rrugën “Stanisllav Galiq”, numër 92 (i dënuar me burg të përjetshëm). Që të mbërrijmë në shkollë na duhet ta kalojmë avenynë “Radosllav Kërstiq” (dënuar me 35 vjet burg) dhe parkun “Lubomir Borovçanin” (dënuar me 17 vjet burg). Unë dhe shokët e mi jemi nxënës të shkëlqyeshëm dhe duam të regjistrohemi në gjimnazin “Momçillo Krajishnik” ( i dënuar me 20 vjet burg)….
Pas shkollës shkojmë në stërvitje, gjimnastikë ritmike në klubin “Dushko Tadiq” (dënuar me 20 vjet burg). Ne jemi kampionë të Republikës Serbe dhe vicekampion të Serbisë së madhe. Natyrisht, do të jemi shumë më të mirë kur të ndërtohet kompleksi sportiv “Ratko Mlladiq” (burg i përjetshëm). Unë jam edhe anëtar i vëzhguesve “Radosllav Bërgjanin” (dënuar me 30 vjet burg). Kjo është përditshmëria jonë! (…)
2.
Ky është një postim në Facebook. Prej anonimitetit ka marrë rrugën e vet të famës në këtë rrjet social. Është përsëritur me qindra herë, nga një shumicë njerëzish në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Serbi. Ka shkaktuar indinjatë, pezmatim, hidhërim mbase. Te një numër të madh sish ka nxitur pyetjen “A është e vërtetë?” dhe te një numër tjetër sish komentin ende pa u vërtetuar nëse është e vërtetë apo jo përmbajtja e postimit, “të këtillë janë ata!”.
Dhe, sikur çdo postim tjetër, edhe ky do ta ketë jetën e kufizuar, që në kohën e komunikimit elektronik mund të quhet jetë xixëllonje; një shndritje gjatë natës sa për ta treguar praninë dhe për ta përfunduar jetën deri në mëngjes, kur t’i vijë radha postimit tjetër të radhës me jetën e xixëllonjës.
Megjithatë, e veçova këtë sepse meriton të jetojë shumë më gjatë. Në fakt, është rrëfimi më i shkurtër dhe më i efektshëm për një gjendje të re që është krijuar e që quhet distopia serbe. Distopi është gjendja e kundërt e utopisë, një shteti a shoqërie ideale, e liruar nga krimi, varfëria e dhuna. Distopia është në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të greqishtes së vjetër një vend i keq për të jetuar, gjegjësisht një shoqëri a shtet i padëshiruar, frikësues, i dehumanizuar.
Distopia serbe nuk ka nevojë për përshkrim më të gjatë se 160 fjalët e postimit imagjinar të emrave të rrugëve dhe shkollave në Banjallukë, kryeqytetin e Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë – që të gjithë kriminelë të dënuar të luftës. Në një përshkrim të këtillë, shoqëria lëre që nuk merret në formë kritike me të kaluarën, por pjesën më të errët të saj e ka vënë në spikamë si pjesën me të cilën do krenuar më së shumti.
Në distopinë serbe, gjenocidi i ushtruar ndaj popujve të tjerë në Bosnjë-Hercegovinë shndërrohet në vlerën më të madhe kombëtare serbe.
3.
Gjatë shekullit XX është zhvilluar romani distopik dhe ai “1984” i George Orwellit është tashmë vepër e njohur gjithandej në botë si një zë i fuqishëm antitotalitar. Në shekullin XXI, e me ngjalljen e populizmit në demokracitë e konsoliduara si SHBA dhe Britania e Madhe, vepra e shkrimtares kanadeze Margaret Atwood, “Handmaid’s Tale”, po shndërrohet në zërin e fuqishëm antitotalitar, madje aq sa të popullarizohet në medium tjetër, atë të serialit për “Netflix”.
Serbia dhe politika prijëse serbe nuk po merren me romane a seriale – distopia serbe tashmë është shndërruar në një vetëdije shoqërore. Ditë pas dite, vit pas viti, qarqet politike, intelektuale, fetare dhe kulturore që janë në pushtet në Serbi dhe ndër serbë kanë zhvilluar një rrëfim të kundërt me ballafaqimin me të kaluarën. Çdo gjykim i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës që ka vërtetuar se forcat serbe kanë vepruar kundër popujve të tjerë në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë është ballafaquar me një rrëfim krejtësisht të kundërt, një në të cilin e tërë bota, me përjashtim të Rusisë, ka vepruar kundër Serbisë dhe popullit serb.
Në distopinë serbe, gjenocidi në Srebrenicë është një gënjeshtër, ekzekutimi i pacientëve të spitalit të Vukovarit në Kroaci një trillim, ndërsa masakra e Reçakut një sajesë shqiptaro-amerikane që shërbeu si shkas për të bombarduar Serbinë.
Në atë distopi, duke u heshtur ditë pas dite, vit pas viti, se kamionë frigoriferë kanë transportuar kufoma civilësh të ekzekutuar shqiptarë – fëmijësh, grash dhe burrash – prej Suhareke, Meje apo vendeve të tjera në Kosovë dhe i kanë varrosur në varreza masive në Batajnicë, tashmë nuk ekziston kujtesa për këtë. Meqë nuk ka kujtesë, nuk ka varrezë masive në Batajnicë, e as që ka ekzistuar ndonjëherë.
Në mungesë të kujtesës për krime, distopia serbe është kthyer tek rrëfimi i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Kroatët janë popull gjenocidal që ka vrarë serbë, Bosnjë-Hercegovina është një prodhim artificial, i cili pretendon që të islamizojë serbët, Mali i Zi është “Sparta serbe”, të cilën po duan ta ndajnë nga serbizmi shërbëtorët e ustashëve kroatë. Kosova, zemra e Serbisë, është përkohësisht e okupuar, por do të çlirohet si çdo tokë serbe, me hatër a me dhunë. Këto nuk janë më rrëfime politikanësh, akademikësh e priftërinjsh pleq, por janë rrëfime të njëzetvjeçarëve të rritur në distopinë serbe.
Sot njëzetvjeçarët demonstrojnë kundër Malit të Zi në Podgoricë, janë të gatshëm ta shkatërrojnë Bosnjë- Hercegovinën edhe me dhunë nëse duhet dhe injektohen me steroide nacionaliste, kur Novak Gjokoviqi dhe shokët e tij teniserë këndojnë duke festuar marshe ushtarake apo brohorisin parulla për Kosovën, zemrën e Serbisë.
4.
Njëra prej betejave të mëdha intelektuale evropiane pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë lufta kundër harresës për krimet, gjegjësisht lufta kundër revizionizmit, rirrëfimeve historike që do të anashkalonin apo harronin krimet. Në një kontekst integrimesh politike, ekonomike, sociale, Evropa e bashkuar është mbështetur edhe në integrim kujtese, aso që nuk do të lejonte rikthimin e narracionit që solli luftërat.
Në ish-Jugosllavi kjo betejë është humbur ditën e parë pas luftës së armatosur. Dhe, nëse vazhdohet me humbje, do të mbërrihet lehtë që postimi 160 fjalësh i Banjallukës të jetë kurrgjë tjetër pos i vërtetë./koha.net