Nga Flogert Muça/
Mbrëmë në studion e Fevziut teksa diskutohej për paqtimin opozitë-mazhorancë analisti Lorenc Vangjeli i pyetur nga drejtuesi i emisionit deklaroi se para shumë vitesh ka shkruar rreth 14 fjalime për një seancë parlamentare, por pa marrë asnjeherë, asnjë qindarkë në këmbim. Me tej ai theksoi se këtë e bënte për shkak të miqësisë që ai kishte me ta e duke vazhduar me batutë Vangjeli u shpreh se ” Ishin dy gjëra që më bënin ta bëja, e para ishte miqësia dhe dëshira për tu tallur… Po në atë parlament doktori thotë ‘ai që u bën fjalime ditën dhe ju tall klubeve natën’, dhe shakaja që kam bërë dhe refuzova dhe fillova t’i shmang deputetët, ishte se thash e mori vesh doktori dhe thotë që një faqe kushton 100 euro, më vjen Ritvani me bllokun e tatimeve…”
Sot në mëngjes, një pjesë e madhe e portaleve që nuk e dinë nga bie gazetaria, kishin dalë më titullin (perifrazoj): ” ja sa kushton një fjalim në parlament”. Thënë të gjitha këto, kupton se nuk ka rëndësi nëse flet Vangjeli apo Drita, Fatosi apo Luli, Edi apo Mimoza. Me këtë tjetërsim fjalësh që ndodh në median tonë, bëhet tezja dajë pa pikën e problemit.
Imagjinoni një gazetar që raporton nga zonat e luftës dhe ata që me cigare e uiski punojnë nga kolltuku duke tjetërsuar fjalët e kujtdo, herë nga interesi akut e herë nga injoranca e plotë. Rasti i mbrëmshëm është ilustrimi perfekt i abuzimit me fjalën e tjetrit ku procesi nga dhënësi e mesazhit tek lexuesi ka tjetërsuar fjalën e dhënësit. Dhe kur këtë ja bëjnë një gazetari, vajmedet të tjerët.
Arsyeja? Ose përtojnë ose kanë intetesa të ngushta (flas për çdo rast pasi ky është fenomen) pasi do të mjaftonin 6 minuta duke mos e fikur as cigaren e as lënë pa pirë uiskin, që të dëgjonin videon që keni në fund e të bënin lajmin e saktë, duke cituar drejt.
Unë nuk mendoj se kolegut Vangjeli i dhemb kjo që kanë bërë ndaj tij, por jam i bindur se atij dhe të gjithë atyre që dinë rëndësinë e gazetarisë së vërtetë ju dhemb kur disa joprofesionistë (në rastin më të mirë), i humbin medias besueshmërinë me atë që bëjnë.
Kultura e tjetërsimit të fjalëve, nxjerrjes nga konteksti duke krijuar fake news ndaj kujtdo qoftë, duhet të marrë fund për të mirën e medias dhe demokracisë.
/Lexo.al