Që nga sot terminali i autobusëve të Jugut dhe të Veriut do të jetë tek ‘Kthesa e Kamzës’. Zhvendosja e terminalit të jugut që më parë ishte tek nga zona e njohur si ish- Dogana është bërë pas rinisjes së punimeve tek Unaza e Madhe.
Mëngjesin e sotëm të gjithë autobusët e linjave të jugut dhe të veriut janë vendosur në këtë terminal të ri provizor. Terminali i ri ofron më shumë vende qëndrimi për autobusët, ndërkohë Bashkia e Tiranës ka marrë masat për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve brenda qytetit përmes transportit urban.
Zhvendosja e terminalit ishte parashikuar që të bëhej më 3 janar por vijimi i punimeve në të kanë bërë që data të shtyhej. Terminali i ri do të jenë në shërbim të 43 linjave të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut, duke sjellë kushte më të mira dhe lehtësi në qarkullim.
Pak ditë më parë punimet në terminalin e ri u inspektuan edhe nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se me terminalin e ti do të shmanget edhe kaosi që ndodhte tek ‘Shqiponja’.
“Ka një hapësirë më të madhe sesa ish-Dogana, do të sistemojë 63 vend-poste dhe stacione për autobusët e veriut dhe jugut, ndërkohë që juglindja do të vazhdojë të shërbehet nga Qyteti “Studenti” dhe parkingu i madh atje. E jo vetëm kaq, por kemi edhe 4 linja autobusi urban që do kenë një stacion ngjitur me terminalin e autobusëve; pra, linja e ‘City Park’, e Kamzës, linja e Institutit dhe ‘Tirana e Re’, të katërta do të ndalojnë aty, për t’i çuar pasagjerët në drejtimin që duan në Tiranë, duke shmangur edhe kaosin që ndodhte tek ‘Shqiponja’”, u shpreh Veliaj.