Gruaja që shikoni në fotografi është 50-vjeçarja Drita Saliaj, e cila u gjet e vdekur në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër.
Viktima e cila do të përcillet në banesën e fundit gjatë ditës së sotme, u sulmua në banesën e saj mbrëmjen e 5 janarit, nga nipi i burrit dhe dy shokët e tij, të cilët kishin shkuar për të grabitur, ndërsa ndodhej vetëm në banesë, pasi burrin e kishte në emigrim.
Teksa nuk e dinin se ndodhej në banesë, ata janë përballur me të zonjën e shtëpisë, të cilën e kanë dhunuar, e kanë lidhur me litar dhe e kanë hedhur në rezerrvvuarin e fshatit.
Policia e Fierit tha zyrtarisht se në orët e para të mëngjesit të së martës, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e Drita Saliaj, 50 vjeçe, të cilët denoncuan largimin e saj nga banesa.
Pas marrjes së denoncimit, efektivët e policisë organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen.
Pas hetimeve të kryera rezultoi se djali i vëllait të burrit të viktimës, në bashkëpunim me dy shokë të tij, në datën 5 janar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.
Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i saj.
Kështu u bë arrestimi i nipit të burrit të viktimës, L. Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës, S. Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.
/a.r