Nuk kanë munguar debatet në mbledhjen me dyer të mbyllura në Partinë Demokratike, ku për më shumë se 2 orë, deputetët kanë kritikuar bazën e PD në lidhje me zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Një sërë deputetësh të vjetër në PD kanë kërkuar nga Kryetari Lulzim Basha që të mbajë një qëndrim më të prerë ndaj strukturave të bazës e kryetarëve të degëve në lidhje me përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve të 21 qershorit, në kushtet ku sipas tyre po krijohet një hendek midis bazës dhe niveleve të larta të partisë.
Ish kryeministri Berisha ka thënë se duhet të thyhet kodi i frikës brenda rradhëve të demokratëve dhe se partia duhet të jetë më aktive në terren.
Ndërsa më konçize ka qenë ish nënkryetarja Jozefina Topalli e cila ka kërkuar nga Basha evidentimin e problematikave jo vetëm në bazën e partisë por po ashtu edhe në grupin parlamentar të PD, në kushtet kur mbledhja e saj kishte mëse 3 javë që nuk bëhej.
5 nëntori shënon datën përfundimtare të analizës së rezultatit të zgjedhjeve vendore nga ana e PD, ku priten më pas vendimet në lidhje me riorganizimin e degëve të partisë më të madhe opozitare.
Në përfundim të takimit Kryetari Basha nuk ka preferuar të komentojë, ndërsa Sali Berisha, duke thënë se respekton hierarkinë e Partisë Demokratike, po ashtu nuk ka komentuar në lidhje me debatet brenda mbledhjes së grupit.