Nga ARTUR AJAZI
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar me nota “patriotizmi” pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Samitin e Shengenit Ballkanit. Reagimi në fakt ka ardhur nga Lulzimi për liderët e Kosovës, duke e cilësuar deklaratën e Ramës si “sulm kundër liderëve politikë të Kosovës, që është shtet i pavarur, ndaj Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e saj”.
Gjithashtu Lulzimi ka shtuar se “koha e vasalitetit të Tiranës ndaj armiqve e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt”. Dhe në fakt, në Twtter Lulzimi belbëzon më shkoqur se para kamerave, madje shprehet më lirshëm mbi “qëndrimet” e tij mbi “patriotizmin, nacionalizmin” apo dhe qëndrimet politike sidomos ndaj Kosovës. Lulzim Basha është kryetar i një partie e cila dihet botërisht sa “partiotike dhe mbrojtëse” ka qenë me çështjen dhe problemet e tjera që lidheshin dikur me pavarësinë e Kosovës, apo duke mos harruar qëndrimin e ish-qeverisjes së partisë tij, në kohën kur gjithë bota i bënte embargo Millosheviçit, dhe furnizimin me “arin e zi” e merrte pikërisht nga Shqipëria.
E vërteta është e hidhur, aq sa ka qenë dhe është hileqare dhe e pabesueshme , në çdo rast qëndrimi i Partisë Demokratike lidhur me Kosovën. Gjithmonë kur faktori ndërkombëtar ka qenë solidar dhe mbështetës për fatet e Kosovës, nga PD kanë ardhur vazhdimisht qëndrime dyshuese, madje dhe penguese. Të mos harrojmë Rambujenë, apo ngjarjet e tjera që pasuan, ku nga selia e PD dilnin qëndrime që kërkonin medoemos zgjatjen e agonisë, pengimin e procesit të shpalljes së pavarësisë.
Në partinë e Lulzimit, “patriotizmi” shfaqet gjithmonë kur Edi Rama është në qendër të takimeve dhe diskutimeve me liderët e Ballkanit Perëndimor apo dhe liderë të Kosovës. Asnjëherë më parë por edhe sot, në PD nuk ka patur një projekt afatgjatë dhe largpamës lidhur me ç’ka mund të ndodhë me Kosovën, asnjëherë nuk është rekomanduar qasje pozitive për bisedimet me Serbinë, por thjesht partia e Doktorit ka qenë “komode” në qëndrime neutrale. Ata që sot i sulen Edi Ramës për “afrimitet me Serbinë” dikur takoheshin skutave përtej kufirit me Sllobon apo vrasësit e kosovarëve, ata që sot bëjnë “patriotin” duke deklaruar se “minishengeni mënjanon Kosovën” dikur punonin kundër saj me të gjitha mënyrat.
Si mund ti besosh deklaratave të ish -opozitës së vjetër, që vijnë nga sulltanët e saj, kur partia e tyre ka mbi çerekshekulli, që jo vetëm nuk e ka përkrahur çështjen e Kosovës, por emra të veçantë të saj, kanë punuar hapur kundër. Duke përdorur “patriotizmin”, si karta e fundit e mbijetesës së tyre në politikë, hijet e së shkuarës dhe të sotmes në Partinë Demokratike , po çukisin gjithçka munden për të prishur qetësinë në Rajon, madje duke lëshuar thirrje të hapura nga rrjetet sociale për “ngritjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, në mbrojtje të interesave kombëtare”. Ata që duan ta rikthejnë Ballkanin në shekullin e kaluar, gjenden pikërisht në SHQUP, dhe janë betuar të mos e lënë të qetë vendin dhe Rajonin.
Tamam ashtu eshte
Sa bote me nafte ka dergue salia serbi , po si ka mundesi qe nuk po dergohet ndjekje penale or burra??