Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj, i dorëzoi Ambasadorit Cutillo “Çelësin e Qytetit” të Tiranës, si mirënjohje për një mik të mirë të Shqipërisë, që do i mungojë shumë. Me rastin e përfundimit të detyrës si ambasador në vendin tonë, miq të tij dhe shumë diplomatë, u mblodhën për të uruar diplomatin italian, i cili pas katër vitesh qëndrim në kryeqytetin tonë, do të nisë një tjetër detyrë të rëndësishme.
Teksa mori “Çelësin e Qytetit” të Tiranës, Ambasadori Cutillo e cilësoi bashkëpunimin me Veliajn dhe stafin e Bashkisë së Tiranës si të shkëlqyer, ndërsa theksoi se ndihet i impresionuar nga zgjidhjet për çdo problematikë. “Të punoja me ty ishte një eksperiencë e shkëlqyer. Dua të të përgëzoj për atë që ke bërë, jam i impresionuar nga ju dhe stafi juaj, dhe kjo është për shkak të mentalitetit që ju keni krijuar sepse është një staf që jep zgjidhje, kurdo që del një problematikë”, theksoi Cutillo.
Kryebashkiaku Veliaj falënderoi diplomatin italian për kontributin që ai ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për ndihmën e jashtëzakonshme menjëherë pas tërmetit që ra në vendin tonë. “Çdo krizë është një mundësi për t’u ringritur sërish, një mundësi për të punuar së bashku. Ishte si një muzikë për veshët e mi kur mora vesh se Italia ishte mes vendeve të para, nga shumë vende mike të Shqipërisë, që iu bashkuan operacioneve të kërkim –shpëtimit dhe pas kësaj për operacionin e rindërtimit. Ne jemi shumë të bekuar me fqinjët tanë, ndaj mendoj që të kemi një ambasador që përfaqëson një fqinj kaq miqësor dhe që bën një punë kaq të shkëlqyer”, deklaroi Veliaj.