Paketa anti-shpifje që pritet të miratohet në parlament në 19 dhjetor ka vënë në lëvizje Partinë Demokratike. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha i kërkon SHBA dhe BE që t’i bëjnë presion qeverisë për të mos ndërmarrë këtë veprim, kundër lirisë së shprehjes.
Përmes një postimi në Facebook ku ka shpërndarë një videomesazh për qytetarët, Bashë shprehet se liria e shprehjes është themeli i demokracisë dhe çelësi i gëzimit të çdo të drejte tjetër të njeriut, prandaj sipas tij të gjithë duhet të angazhohemi kundër paketës ligjore të qeverisë që synon ta cënojë këtë liri dhe të censurojë mediat.
“Duke mbështetur organizatat e medias që janë angazhuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, i bëj thirrje qeverisë të heqë dorë nga paketa ligjore despotike që ka përgatitur. I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë shteteve të tjera mike demokratike që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes.
Po ashtu kërkoj ndihmën e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe të gjithë organizatave ndërkombëtare që të kërkojnë prej qeverisë shqipare, t’ju përmbahet angazhimeve të ndërmarra për lirinë e shprehjes, në kuadër të konventave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë.
Por, ajo që është më e rëndësishmja, ju ftoj ju, të gjithë, pa dallime bashkëqytetarët e mi që pa lënë anash solidaritetin tonë ndaj viktimave të fatkeqësisë natyrore dhe njerëzore të tërmeteve të mobilizohemi me të gjitha forcat për tëe penguar këtë atentat kundër lirisë së fjalës në vendin tonë. Kjo qeveri nuk do mundë të na i mbyllë gojën“, shprehet Basha.
g.kosovari