Menjëherë pas tërmetit, Arben Cara, shefi i repartit zjarrfikës në zonën e Institutit do të linte familjen e tij për t’u nisur me urgjencë, se bashku me shumë kolegë te tjere, nga Tirana drejt Thumanës. Ate dite kurrë nuk e kishte menduar se nën rrënojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit do të ishin edhe disa nga familjarët e tij. Për orë të tëra, ai bashkë me ekipin zjarrfikës ishin në krye të operacionit të kërkim-shpëtimit në Thumanë, mes të cilave edhe të 6 anëtarë të familjes që fatkeqësisht humbën jetën.
Ai u vlerësua nga kryebashkiaku, Erion Veliaj jo vetëm për profesionalizmin e treguar, por edhe për gjithë punën e bërë bashkë me kolegët e tij të shërbimit zjarrfikës.
“Arben Cara është shefi i stacionit të Institutit. Me kalimin e orëve Arbeni mori vesh dhe njoftimin e keq se nën rrënoja, në Thumanë, ishin edhe familjarë të tij. Një grup i Tiranës vijoi të punojë bashkë me Arbenin deri në fund të operacionit të kërkim-shpëtimit”, tha Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj,
Mes emocionesh, Arbeni tregoi se për të gjithë ata që ishin nën rrënoja u bë gjithçka dhe në kohë rekord, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin e institucioneve.
Kryebashkiaku Veliaj tha se shumë prej familjeve të prekura nga tërmeti do të transferohen në Tiranë, ndërkohë që një vëmendje të veçantë po tregohet edhe për familjen Cara.
“Dua t’i jap ngushëllimet mikut tonë, Arbenit, që humbi të afërmit e vet në Thumanë. Dy herë më e vështirë, të qenit i fokusuar si uniformë e shtetit dhe qytetit tonë për të shërbyer, edhe si familjar i prekur. Gjithë lutjet tona, zemrat tona janë me ty miku im në këtë moment të vështirë. Shtëpitë tona janë të hapura. Ne kemi rezervuar për të gjitha familjet e Thumanës dhe të Durrësit apartamente në Tiranë. E kuptoj fare mirë që për të gjithë të mbijetuarit, qoftë edhe largimi fizik nga vendi i fatkeqësisë, është një lloj terapie, vetëm të qenit në një distancë tjetër, larg vendit ku ndodhi tragjedia. Kështu që, mezi pres, që siç na ke shërbyer ne, tani të të shërbejmë ty edhe familjes tënde. Të jam dyfish mirënjohës”, u shpreh Veliaj. /e.s/