Këtë të martë ka nisur Komisioni Hetimor që ka marrë nën shqyrtim veprimet dhe mosveprimet e Presidentit Meta në lidhje me dekretet që ka lëshuar për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimin e zgjedhjeve për shtyrje më 13 tetor.
Po ashtu Presidenti po hetohet edhe për akte të tjera në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e tjera. Mazhoranca pretendon se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, ndërsa sot është kërkuar shtyrja e hetimeve për shkak se Komisioni Hetimor nuk ka patur mundësi për mbledhje dhe shqyrtim të fakteve të mbledhura.
Kjo sipas Alban Zeneli i cili ditën e sotme në mungesë të Ulsi Manjas, drejton këtë Komisoni ka thënë se kërkohet një shtyrje me 4 muaj. Mbledhja nisi me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit.
Edhe pse konflikti i hapur Presidencë-Qeveri ra në heshtje pas tragjedisë me tërmetin e 26 nëntorit, Rama e kujtoi sërish gjatë një prononcimi mbrëmjen e djeshme në Durrës teksa po tentonte ti mbushte mendjen kryetarit të opozitës Basha se duhet të bëhen bashkë për të kaluar katastrofën që la pas fatkeqësia natyrore.
“Ne me Presidentin e Republikës jemi në një konflikt të hapur. Kemi një konflikt institucional ekstrem, kemi një komision të ngritur për ta shkarkuar. Presidenti sot na thërret dhe ne ça do bëjmë? Do themi nuk do vijmë? Jo.
Ne shkuam dhe kemi diskutuar sikur s’ka ndodhur asgjë. Realisht ajo që ka ndodhur është asgjë në raport me këtë që i ka ndodhur të gjithëve. Këtu kushdo që mund të japë një kontribut është i mirëseardhur dhe ne duhet ta përqafojmë. Kjo është ajo që mendoj unë”, tha Rama.
/a.r